Fjala e plotë e Drejtoreshës Eni Vasili në promovimin e identitetit të ri vizual të RTSH
Mirëmbrëma të gjithëve dhe faleminderit që keni ardhur
Faleminderit zotërinjve anëtarë të kabinetit qeveritar; z. Blendi Gonxhe, znj. Mirela Kumbaro, deputetëve, ambasadorëve, miqve të RTSH-së, përfaqësuesve të medias. Faleminderit shumë që na jeni bashkuar në këtë mbrëmje të veçantë për ne.
Një mbrëmje e veçantë e një dite të vështirë në fakt, sepse përpara se të filloj të flas për RTSH-në, identitetin e ri vizual apo projektet e reja të sezonit të ri, dua të them diçka…
Si drejtuese e këtij institucioni dua të shpreh shqetësimin dhe trishtimin tim për vendimin e marrë sot në Hagë për luftëtarët e UÇK-së. Ky është një vendim i padrejtë, por ai nuk mund të njollos kurrë atë luftë të drejtë për liri. Apelimi i vendimit tregon vendoshmërinë dhe integritetin se historia nuk mund të rishkruhet.
Le të rikthehemi te ne, te sezoni i ri televiziv që çelim këto ditë në RTSH, për të cilin doja të ndaja disa momente sa i përket konceptit, risive dhe pritshmërive që të gjithë ne kemi për Radio Televizionin Shqiptar.
Çfarë është ky identitet i ri vizual përpos një pakete grafike shumë të bukur, të re, të freskët dhe moderne, që sigurisht do të testohet më tej nga publiku?
Është një koncept, i cili synon të transferojë njohurinë e këtij institucion kaq të madh edhe me kaq eksperiencë në fushën mediatike. I vetmi që e ka këtë eksperiencë dhe i vetmi që ka njerëz me njohuri profesionale kaq të mëdha. Ta transferojmë këta pasuri, ta marrim me vete, të mos e harrojmë, të mos e lëmë, por thjesht ta evoluojmë nën dritën e kohës.
Nëse do ta përmblidhja me një fjali do të thosha se tani RTSH duhet të kalojë nga normalizimi i institucionit, që ndodhi në vitin e kaluar tek marrja e një vendi dinjitoz në tregun mediatik shqiptar.
Nuk ka qenë e lehtë, dhe për këtë dua të falënderoj këtu çdo punonjës të RTSH-së i cili kontribuoi në normalizimin e situatës brenda institucionit dhe kontribuoi gjatë këtij viti për të implementuar edhe programacionin e ri, të cilin ne do ta fillojmë së shpejti.
Kemi pasur edhe rezistencë, kemi pasur edhe shkopinj nën rrota edhe kjo është e kuptueshme. E rëndësishme është që ne sot jemi këtu për të prerë shiritin e një kohe të re për Radio Televizionin Shqiptar.
Mund të them vetëm kaq; viti im i parë në drejtimin e RTSH-së ka qenë një nga vitet më sfiduese të karrierës time profesionale. Jo se të jesh në tregun e emisioneve politike është e thjeshtë. disa miq të mi të medias këtu e dinë sa e vështirë është të mbijetosh tek ai lloj tregu, por sfidat dhe përgjegjësia që kisha të drejtoja një institucion kaq të rëndësishëm kombëtar ishin diçka krejt tjetër dhe sigurisht pa ndihmën e stafit tim të ngushtë, por dhe të gjithë punonjësve të RSSH-së kjo nuk do të kishte ndodhur.
Prandaj kam një falënderim të madh edhe një duartrokitje do doja unë t’ua jepja juve për të gjithë mbështetjen që më keni dhënë.
Atëherë le të flasim për identitetin e ri vizual. Kemi një përmbajtje të re e cila vishet me një paketë të re grafike, sigla të reja dhe të freskëta për çdo program të ri. Kemi ruajtur identitetin, jemi rikthyer pak në kohë tek ajo sigël, e ajo logo e vjetër e RTSH-së, por e kemi pasuruar atë. Një rreth i kuq do të na përbashkojë të gjithëve. Ngjyra e kuqe sigurisht nuk mund të braktisej. Ajo mundet vetëm të na bashkojë kudo që jemi. Kështu që elementet kryesore, elementët kombëtarë nuk do të mungojnë në identitetin e ri vizual. Thjesht ato interpretohen ndryshe.
Por për mua, – gjatë sezonit ju do ta gjykoni vetë – risia më e bukur e këtij sezoni janë prezantuesit dhe autorët e rinj. Janë personazhe të ardhur rishtas në RTSH që i bashkohen stafit ekzistues.
Kriteret kryesor në përzgjedhjen e drejtuesve të rinj, – Brunën e shikoj këtu Albën, Anjolën, Kristin, Arvin, janë këtu të gjithë, – kanë qenë energjia, profesionalizmi, dashuria për audiencën, për publikun dhe dashuria për RTSH-në. Kjo është një gjë e rëndësishme.
Unë do doja shumë që së bashku dhe me punën tonë dhe ne të rikthenim dashurinë dhe besimin e publikut shqiptar tek Radio Televizioni Shqiptar. Sepse ne nuk bëjmë sikur nuk është elefanti në dhomë. Ne e shohim elefantin aty dhe po të punojmë që të mos jetë më aty.
Sigurisht ne në këtë rrugëtim nuk kemi qenë vetëm. Është shumë e rëndësishme sot të falënderoj partnerët tanë, në mënyrë të veçantë EBU-në dhe zonjën Ratka Becheva, e cila është këtu.
Dua të tregoj diçka të vogël në këtë kontekst. Kur filluam mbledhjet e para me EBU-në një nga gjërat e para që i kërkova Ratkës pasi fola për situatën e vështirë në RTSH ishte: Ju lutem, a mund të vini në RTSH dhe të na jepni të gjithë ‘know -how’-n tuaj, gjithë mbështetjen tuaj për të filluar reformën. Pas 40 ditësh ata ishin në RTSH dhe kjo është vetëm meritë e zonjës Beçeva e cila insistoi në këtë mbështetje dhe bëri të mundur një proces shumë të rëndësishëm, i cili është një reformim i thellë dhe i plotë i të gjithë strukturës së RTSH, cila do të çojë patjetër në ndryshime ligjore dhe statutore, por që ne shpresojmë të vendosë themelet e një media publike të vërtetë e të besueshme, ashtu siç janë edhe partnerët tanë europianë apo simotrat në të gjithë Europën.
Mediat publike kudo në botë përballen me sfidat e kohës dhe pikërisht në këto momente në kohë të tilla të vështira globalisht nevoja e mediave publike është gjithmonë edhe më e dukshme dhe prezenca e tyre është gjithmonë e më e rëndësishme.
E di mjaft mirë se shumë nga punonjësit e RTSH-së presin nga unë të flas për kushte më të mira pune, paga më dinjitoze, paga që sigurisht na afrojnë ne me standardet e televizioneve private; të gjitha këto do të ecin paralelisht me përpjekjet tona për t’i dhënë ë publikut shqiptar një kontent më të mirë, një televizion tek i cili të gjejnë atë se çfarë duan nga një media.
Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sot dhe që jeni pjesë e RTSH-së!
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




