Eksperti ligjor Kadri Kryeziu: Gjykimi i Hagës u bë në unison me prokurorinë, vendimet janë pa sens juridik dhe armiqësore

Kosovë | 2 orë më parë

Konstitucionalisti Kadri Kryeziu, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Prishtina për RTSH-24, e cilësoi vendimin për dënimin e ish-komandantëve të UÇK-së si një zhgënjim të jashtëzakonshëm për popullin e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë.

Ai e përshkroi si një dënim të papritur, që ka tronditur opinionin publik, duke theksuar se katër të akuzuarit kanë qenë pjesë e UÇK-së dhe kanë luftuar kundër gjenocidit serb, krime që janë të dokumentuara dhe të njohura nga e gjithë bota.

Pas atij vendimi unë kam menduar se pas një Europe të lirë nuk mund të dënohen luftëtarët e lirisë që kanë luftuar kundër gjenocidit serb, dhe kjo për mua ka qenë shumë e befasueshme dhe për të gjithë shqiptarët kudo ku janë. Ishte një dënim i papritur dhe një zhgënjim i madh i gjithë popullatës në Kosovë, për shkak se katër ata kanë qenë anëtarë të UÇK-së dhe kanë luftuar kundër gjenocidit serb, ku e gjithë bota e di që aparati i dhunës serbe ka vrarë fëmijë, gra, ka vrarë familje të tëra dhe ka bërë masakra,” tha Kryeziu.

Sipas Kryeziut, dënimet e dhëna kanë tejkaluar kuadrin ligjor të kohës, pasi veprat penale të dyshuara duhej të gjykoheshin sipas legjislacionit jugosllav, ku maksimumi i parashikuar ishte 15 vite burg.

Ai i cilësoi vendimet si “dragonike”, të ashpra dhe të papara në historinë europiane, duke shtuar se avokatët duhet të punojnë në apel për t’i kundërshtuar dhe për të sjellë prova të reja.

Pra i kanë tejkaluar këto dhe kanë marrë masa të ashpra ndaj luftëtarëve të lirisë në shkallën e parë dhe ka mundësi që në shkallën e Apelit, avokatët duhet të punojnë në këtë drejtim që ky dënim ‘dragonik’ të eliminohet sepse është një dënim i paparë në historinë europiane,” u shpreh ai.

Eksperti ligjor shtoi se katër të akuzuarit, përmes avokatëve të tyre, duhet të bëjnë ankesë për masën e dënimit dhe të sjellin prova të reja e fakte kundërshtuese.

Unë i konsideroj se gjyqtarët në Gjykatën e Hagës janë sjellë si armiq ndaj të pandehurve. Ata kanë qenë unison së bashku me prokurorinë. Unë e konsideroj që gjyqtari duhet të marrë vendim të paanshëm, jo në bazë të kërkesave që i jep prokuroria, përndryshe kjo nuk mund të quhet një gjykim i drejtë,” tha Kryeziu.

Ai specifikoi se për të arritur këto qëllime, avokatët duhet të punojnë në tre drejtime, së pari, të lirohen në tërësi, së dyti, të zvogëlohet dënimi, ose së treti, Gjykata e Apelit të përsërisë procedurën.

Kryeziu solli në kujtesë raste të mëparshme kur komandantë të UÇK-së janë dënuar në shkallën e parë me 18 vite, por më pas janë liruar, si dhe raste të ushtarëve kroatë që janë dënuar me 22 vite dhe më pas janë liruar në apel.

Ai kritikoi edhe formulën “Në emër të popullit të Kosovës” të përdorur në vendim, duke thënë se populli i Kosovës nuk do të kishte dënuar çlirimtarët e vet dhe se kjo shprehje nuk ka logjikë në këtë kontekst.

Për Kryeziun, dënimet janë politike dhe armiqësore, por nuk do të kenë ndikim mbi shtetësinë e Kosovës, pasi kanë karakter individual.

Një tjetër element që ai e cilësoi pa sens ishte formula “Në emër të popullit të Kosovës”. “Populli i Kosovës nuk do i kishte dënuar çlirimtarët, por kjo në parim është një rregull formal. Në këtë kontekst nuk bën sens dhe nuk ka logjikë. Do të ishte dashur më mirë të thuhej ‘në emër të Europës’ apo ‘në emër të Gjykatës’, dhe jo të popullit të Kosovës,” theksoi Kryeziu.

Në fund ai tha se këto si dënime “dragonike”, jo reale, por politike dhe armiqësore.

“Kjo duhet të korrigjohet në të ardhmen në apel, dhe mendoj që në apelim ata do të lirohen në tërësi,” tha konstitucionalisti.

Sipas tij, nëse të akuzuarit do të ishin dënuar për vepra penale kundër njerëzimit, kjo do të kishte efekt mbi Kosovën, por dënimet e dhëna kanë më shumë karakter individual dhe nuk do të sjellin problem për shtetësinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme