PDK paralajmëron nisma ligjore për Gjykatën Speciale, Hamza: Takime me liderët e partive politike pas vendimit të Hagës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se vendimi i Gjykatës Speciale për të dënuar me 81 vjet burgim katër ish-krerët e UÇK-së dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
Pas një mbledhjeje të partisë, Hamza beri me dije se do të kërkojë takime me të gjithë liderët e subjekteve politike për hapat e mëtejshëm, duke paralajmëruar se në Kuvend mund të ndërmarrën nisma ligjore ndaj Gjykatës Speciale, por për këtë ka nevojë për mbështetjen e partive të tjera.
“Do të takohem me të gjithë liderët e subjekteve politike sepse kjo nuk është më çështje që i takon një subjekti politik. Ata nuk janë shkuar atje si anëtarë të ndonjë subjekti politik por si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Besoj në bashkëpunimin me subjektet e tjera politike, në krijimin e një konsensusi të nevojshëm dhe ne si PDK do të dalim me veprime konkrete duke i përfshirë edhe ato ligjore edhe demokratike. Po qe se vjen e mund të vjen iniciativa ligjore në Kuvendin e Kosovës normalisht që kemi nevojë për mbështetjen e subjekteve të tjera politike. PDK-ja i ka nënshkrimet e gatshme, varësisht prej nevojave ne do të procedojmë”, tha ai.
Duke kërkuar bashkëpunim, por edhe maturi, ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila theksoi se vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund të korrigjohet në Apel.
“Ajo çfarë ndodhi dje ka hapësirë e mundësi të korrigjohet, por duhet të jemi të bashkuar, me plan të qartë e natyrisht edhe me mençuri të lartë që të planifikojmë hapin e radhës për të sjellë drejtësinë e merituar”, tha ajo.
Kusari-Lila tha se vendimi i gjykatës me seli në Hagë nuk ishte i rëndë vetëm për të akuzuarit, por edhe për Kosovën dhe luftën e saj për liri.
“Hapi i radhës është përgatitja, është së pari mbështetja e plotë për ekipin mbrojtës, e natyrisht edhe në aspektin e mbajtjes së vëmendjes e komunikimit me të gjithë aktorët relevantë, për të ardhur deri në pikën ku një verdikt lirues do të jetë për të katërt”, tha ministrja.
Ish-krerët e UÇK-së Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u dënuan me 81 vite burg nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vendim që ata kanë paralajmëruar se do ta apelojnë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




