Qendër Këshillimi për Burra dhe Djem, nisma e re synon të parandalojë dhunën me bazë gjinore në Shqipëri

Sociale | 2 orë më parë

Jo vetëm gratë, por edhe burrat kanë nevojë për ndihmë. Një nismë e re që synon mbështetje të specializuar psikologjike ka si qëllim parandalimin e çdo sjellje dhune në familje.

Hapja e Qendrës së Këshillimit për Burra dhe Djem krijon akses në mbështetje. Elona Gjebrea, drejtore e Qendrës Popullsi dhe Zhvillim thotë se ky shërbim lindi si domosdoshmëri.

Synon që të adresojë të gjitha problematikat që kanë lidhje me shëndetin mendor të burrave dhe djemve dhe mirëqenien emocionale, si dhe për të krijuar një hapësirë për të folur me profesionistë të fushës dhe për t’u ndihmuar në një ambient që ruan të gjithë etikën që duhet në këtë rast, edhe konfidencialitetin. Lindi si pasojë e një studimi të thellë kombëtar që ne bëmë, për sa i përket shëndetit mendor të burrave dhe djemve, kemi pasur shumë kërkesa për këshillime. Kryesisht grupmoshë mbi 18 vjeç. Po. Sigurisht, synojmë që edhe ta ulim, në varësi të kërkesave që do të kemi”, tha Elona Gjebrea, Drejtore e Qendrës Popullsi dhe Zhvillim.

Në bashkëpunim me organizatën HERA në Maqedoninë e Veriut, si një projekt i financuar nga Ministria Sociale e Austrisë, i pranishëm në inaugurimin e kësaj qendre ishte edhe atasheu austriak në Shqipëri.

“Siç e dini, ekziston një direktivë e re e BE-së për luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Në kuadër të kësaj direktive, përmenden qartë kërkesa të ndryshme që duhen përmbushur si nga shtetet anëtare të BE-së, ashtu edhe nga vendet që aspirojnë anëtarësimin, lidhur me shërbimet e specializuara për viktimat e dhunës, por edhe me masat parandaluese të cilat janë mjaft të rëndësishme për të shmangur sjelljet e dhunshme në të ardhmen. Shtylla e dytë e këtij shërbimi ka të bëjë me punën me autorët e dhunës, në rastet kur ajo tashmë ka ndodhur. Për të shmangur sjelljet e dhunshme në të ardhmen, në Austri – kur lëshohet një urdhër mbrojtjeje – autori është i detyruar të marrë të paktën pesë orë këshillim nga ky shërbim i specializuar. Pra, ky është një detyrim ligjor dhe, mbi këtë bazë, janë krijuar shërbime këshillimi në të gjithë Austrinë, në të gjitha rajonet dhe qarqet”, Harald Breza- Fugger, Atashe austriak për Çështjet Sociale.

Duke integruar modelet më të mira evropiane, kjo nismë tregon se ndryshimi i qëndrueshëm në shoqëri fillon aty ku lind shkaku me shpresën se kërkimi i ndihmës do të kthehet nga një tabu, në një standard mbrojtës për çdo familje.

Gazetare: E. Hasanbelli  

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme