Qytetarët protestojnë në sheshin “Skënderbeu”, kundërshtohet aktgjykimi i Gjykatës Speciale

Për të tretën natë me radhë, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës për të kundërshtuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestat nisën menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për krime lufte.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet – gjithsej 81 vjet burgim, ndërsa u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Gjatë ditës së sotme, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) organizoi një protestë në të njëjtin shesh, e cila nisi rreth orës 12:00.
Sipas Policisë së Kosovës, mijëra qytetarë morën pjesë në tubim. Protesta përfundoi rreth orës 12:40 në mënyrë të qetë dhe pa incidente, pasi u mbajtën disa fjalime. Policia falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe theksoi se siguria publike mbetet prioritet.
Në protestë ishin të pranishëm veteranë të luftës, qytetarë, deputetë (kryesisht nga PDK), si dhe familjarë të ish-krerëve, përfshirë djemtë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit (Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli). Protestuesit brohoritën parulla si “UÇK, UÇK”, “Jo në emrin tim”, “Liri, liri” dhe “O Hashim ti ku je, tërë Kosovën këtu e ke”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



