Berisha flet për verdiktin e Gjykatës Speciale: Asgjë nuk e nxin luftën çlirimtare të Kosovës

Politikë | 1 orë më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësisë politike dhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Berisha e cilësoi javën që lamë pas si një moment të rëndë për shqiptarët, ndërsa theksoi se asnjë vendim gjyqësor nuk mund të zbehë apo të damkosë luftën çlirimtare të Kosovës.

Por në këtë rast, duhet të jemi të hapur, nga ai lexim i vendimit të shkurtuar nga gjykatësi Çarls Smith, krijohet përshtypja se të akuzuarit u dënuan për linja komandimi dhe kjo natyrisht është absolutisht e paqëndrueshme në rast se ajo nuk është e faktuar me dokumente. Sepse është shumë e njohur, vërtet UÇK ishte një lëvizje e fuqishme guerile, por ajo nuk ishte një ushtri e rregullt siç e paraqiti në vendimin e tij.

Përfaqësuesit e saj në Tiranë, z. Thaçi, z. Krasniqi kanë qenë pa dyshim figurat kryesore, por distanca me terrenin ishte shumë e madhe. Ndaj, përveç kësaj, shqiptarët e kanë shumë të vështirë të imagjinojnë që arkitektët e Operacionit famëzi Patkoi, operacionit të spastrimit masiv etnik dhe të gjenocidit në Kosovë, të marrin dënime shumë më të lehta se sa çlirimtarët e Kosovës. Pra, edhe njëherë, ne kemi mbështetur dhe mbështesim ndëshkimin e autorëve konkretë dhe të krimeve konkrete”, u shpreh Berisha në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale.

Gjatë fjalës së tij, Berisha nënvizoi se drejtësia duhet të veprojë për çdo krim apo akt konkret, por ngriti supozime kritike mbi bazën ligjore dhe argumentin e “linjës komanduese” të përdorur nga gjykata.

Pra, edhe njëherë, ne kemi mbështetur dhe mbështesim ndëshkimin e autorëve konkretë dhe të krimeve konkrete.

Por linjat e komandës dhe dënimi me linja komande nuk ka një bazë solide dhe mendoj se në këtë kuadër, problem shumë serioz përbën kuadri ligjor mbi të cilin ka vendosur ligjvënësi gjykatën.

Meqë jemi tek gjykata, jashtë emocioneve, ngritja e Gjykatës së Kosovës, çdo shqiptar në Kosovë duhet ta dijë se ngritja e saj në Hagë është bërë për shkak të një detyrimi”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme