Interes për arsimin me kohë të pjesshme, rreth 300 nxënës në gjimnazin “Kol Idromeno” frekuentojnë këtë cikël
Gjimnazi publik “Kol Idromeno” në Shkodër vijon të mbetet një pikë kyçe referimi për arsimimin në veri të vendit, si e vetmja shkollë që ofron ciklin me kohë të pjesshme për arsimin e mesëm në të gjithë zonën veriore të Shqipërisë.
Edhe për këtë vit të ri shkollor, kërkesat për këtë cikël janë të larta. Drejtori i gjimnazit, Gazmir Jahiqi, bën me dije se janë plotësuar kuotat e pranimit për klasën e 10 ndërsa numri i nxënësve arrin në afro 300 në të katër vitet e ciklit me kohë të pjesshme.
“I kemi realizuar të gjitha ato kuota që ne kemi. Interesimi është shumë i lartë. Pile edhe më i lartë se vitet e tjera këtë vit. Janë rreth 270 deri në 300 nxënës që janë të regjistruar në të katër klasat. Pra klasë 10, 11, 12, 13, sepse shkolla është katërvjeçare”, tha Jahiqi.
Ndryshe nga arsimi i mesëm me kohë të plotë, bankat e këtij cikli mbledhin nxënës të moshave të ndryshme qe vijnë nga të gjitha bashkitë e zonës veriore të vendit.
“Jemi ndoshta një shkollë që përfshin disa qytete, disa bashki siç është Vau i Dejws, bashkia e Malësisë së Madhe. Kemi dhe prej Pukws nxënës, aq më shumë edhe prej Shkodrës. Në grupmoshat ka një variacion domethënë që varion nga mosha 18 vjeç deri në moshën 60 vjeç”, tha ai.
Në këtë vit shkollor gjimnazi “Kol Idromeno” e ka nisur procesin mësimor në një godinë tërësisht të rikonstruktuar me infrastrukturë dhe kushtet bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor, si për nxënësit e arsimit me kohë të plotë, ashtu edhe për ata që ndjekin ciklin me kohë të pjesshme
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




