Kujdesi për sytë e fëmijëve, specialistja: Kufizoni kohën para ekranit
Me nisjen e vitit të ri shkollor, krahas përgatitjeve për libra e mjete shkollore, vëmendje duhet t’i kushtohet edhe shëndetit të syve të fëmijëve. Specialistët e shëndetit të syve flasin për ndikimin që përdorimi i zgjatur i telefonit dhe tabletit mund të ketë te fëmijët, veçanërisht në lodhjen e syve dhe përqendrimin gjatë mësimit.
“Mjet teknologjike ndikojnë shumë tek fëmija dhe nuk ndikojnë vetëm në sy, po ndikojnë edhe në përqendrimin e fëmijës, pra në vështirësinë për t’u përqendruar. Kanë humbur kontaktin me librin dhe përveç të tjerave duke qëndruar shumë gjatë, na kanë bërë këtë që quhet edhe epidemia botërore e miopisë, pra shfaqjen e numrave me minus tek fëmijët, kryesisht tek fëmijët që qëndrojnë për orë të gjata përpara tableteve, kompjuterëve, televizorit”, tha Besa Vok, oftalmokirurge.
Përdorimi i ekraneve për periudha të gjata bën që fëmijët të qëndrojnë më pak aktivë dhe të përqendrohen për një kohë të gjatë në një distancë të afërt. Për këtë arsye, specialistët japin disa këshilla për mbrojtjen e shëndetit të syve.
“Fëmijët duhet të mos qëndrojnë shumë orë përpara ekraneve. Eliminimi i kryesisht i telefonave, sidomos pamjen për afër, sepse kjo shkakton një sforco të akomodimit dhe rrit riskun që fëmijët edhe nëse kanë qenë fëmijë që nuk kanë qenë të predispozuar për të bërë miopi, këto fëmijë në moshën e adoleshencës shfaqen me numra minus”, u shpreh Voka.
Në këtë nisje të vitit shkollor, kujdesi për shëndetin e syve duhet të jetë pjesë e rutinës së përditshme të fëmijëve, me përdorim të kontrolluar të ekraneve dhe pushime të rregullta për sytë.
Gazetare: I. Bajraktari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




