ISSH paralajmëron qytetarët për SMS mashtrues: Mos klikoni në link dhe mos jepni të dhëna personale

Sociale | 1 orë më parë

Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka paralajmëruar qytetarët për një mesazh të dyshimtë që po qarkullon në telefonat celularë, duke theksuar se SMS-ja nuk është dërguar nga institucioni.

Në njoftimin e publikuar nga drejtori i përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado, qytetarëve u bëhet thirrje të mos klikojnë në linkun e përfshirë në mesazh dhe të mos vendosin të dhëna personale.

Mesazhi mashtrues u kërkon qytetarëve të verifikojnë informacionet e tyre dhe të plotësojnë disa procedura, duke pretenduar se në të kundërt mund të preken të drejtat e tyre të sigurimeve shoqërore.

“Ju lutemi, mos klikoni në linkun e përfshirë në këtë mesazh dhe mos jepni të dhëna personale”, thuhet në njoftimin e ISSH-së.

Instituti bën të ditur se ka njoftuar institucionet përkatëse për marrjen e masave dhe bllokimin e këtij komunikimi.

ISSH u kërkon qytetarëve që ta shpërndajnë njoftimin, me qëllim informimin dhe mbrojtjen e personave të tjerë nga tentativa të mundshme mashtrimi online.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme