Studentët marshojnë sot në Prishtinë kundër aktgjykimit të Speciales

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të organizojë sot një marshim protestues nga Qendra e Studentëve drejt sheshit “Skënderbeu”, në Prishtinë. Marshimi pritet të nisë në orën 11:30, ndërsa studentët do të marshojnë drejt qendrës së kryeqytetit. Protesta zhvillohet në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Marshimi i studentëve vjen në kohën kur protestat kundër aktgjykimit kanë hyrë në natën e pestë. Mbrëmë, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbeu”, ku shprehën kundërshtimin ndaj vendimit. Në protestën e mbrëmshme (20 shtator) morën pjesë edhe familjarë dhe djemtë e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Tubimi nisi me shpalosjen e një flamuri të madh kombëtar, ku ishte vendosur edhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhet “Jo në emrin tim”, “S’ka paqe pa drejtësi” dhe “Liria ka emër”, ndërsa gjatë protestës u dëgjuan thirrje në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Protestat kanë nisur më 16 shtator, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




