Siguria në shkolla, masa të shtuara në Gjirokastër dhe Libohovë
Kthimi në bankat e shkollës këtë vit shoqërohet edhe me masa të shtuara për sigurinë e nxënësve. Krahas mësimit dhe përgatitjeve për një vit të ri shkollor institucionet arsimore në Gjirokastër-Libohovë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë krijimit të një ambienti të sigurt për fëmijët dhe stafet pedagogjike.
Prania e oficerëve të sigurisë në shkolla dhe përdorimi i kamerave të vëzhgimit janë pjesë e masave që synojnë të forcojnë kontrollin dhe të parandalojnë situatat problematike.
“Ambientet e jashtme të shkollave përgjithësisht janë të monitoruara me kamera. Oficerë sigurie kemi tek gjimnazi “Jasim Zeneli”, kemi dy oficerë sigurie tek gjimnazi “Sami Shapllo”, kemi një oficer sigurie te shkolla “Koto Hoxhi” dhe kemi dy-tre vakanca, për të cilat kemi bërë kërkesë dhe do të plotësohen gjatë këtij viti”, tha Etleva Yzo, Drejtoreshë e ZVA, Gjirokastër-Libohovë.
Siguria në mjediset shkollore lidhet jo vetëm me mbrojtjen fizike të nxënësve, por edhe me krijimin e një klime të qetë për zhvillimin e procesit mësimor.
Në këtë mënyrë, shkollat synojnë të ofrojnë jo vetëm dije dhe edukim, por edhe një hapësirë ku nxënësit të ndihen të mbrojtur gjatë gjithë kohës që qëndrojnë në institucion.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



