Gjykata Speciale, Agon Maliqi: Protestat janë të dobishme, nisma e PDK-së duhet të diskutohet me BE
Në emisionin “3 D” me Alban Dudushin, analisti Agon Maliqi ka komentuar vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nismën e re të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e ligjit mbi Gjykatën Speciale.
Vendimi i shpallur më 16 shtator, ku Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë për krime lufte, ka nxitur protesta të gjera në Kosovë, ndërsa PDK ka proceduar në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit mbi Gjykatën Speciale.
Duke u ndalur tek protestat që po zhvillohen në Prishtinë, Maliqi theksoi se ato kanë një funksion të rëndësishëm, pasi shërbejnë si mesazh politik ndaj Bashkimit Europian dhe institucioneve që mbikëqyrin Gjykatën Speciale.
“Protestat janë të dobishme sepse nuk duhet të kalojë kjo në BE apo në institucionet që mbikëqyrin këtë gjykatë sikur populli i Kosovës është në rregull se si shkoi kjo punë. Unë mendoj që ka një dobi, dhe kjo nuk është ndërhyrje në drejtësi. Ndërhyrje në drejtësi është nëse Kosova do të tentonte ta shfuqizonte Gjykatën.”
Ai shtoi se nisma e PDK-së nuk mund të realizohet thjesht me ndryshime ligjore, por duhet të diskutohet në nivel politik me Bashkimin Europian, duke e ngritur çështjen në tavolinën e dialogut.
“Së dyti, kjo gjë nuk bëhet vetëm me ndryshim ligjesh, por duhet diskutuar ndërmjet qeverisë dhe BE-së. Pra, duhet ngritur kjo çështje politike me BE në radhë të parë.”
Maliqi paralajmëroi se një pjesë e problemit që ka çuar në këtë gjykim lidhet me perceptimin publik dhe propagandën mediatike, ku ish-krerët e UÇK-së janë shpallur fajtorë para se të shpalleshin nga gjykata.
“Së treti, duhet të punohet shumë edhe në atë që quhet ‘luftë informative’, sepse një pjesë e problemit shumë të madh që ka çuar në këtë gjykim ka qenë se në hapësirën mediatike, propagandistike, këta njerëz janë shpallur fajtorë para se të shpalleshin nga gjykata.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




