3D/ Alibali për vendimin e Hagës: Beteja në Apel është juridike. Ligji për Dhomat e Specializuara është diskriminues për Kosovën

Kosovë | 1 orë më parë

Debati për ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe të ardhmen e procesit gjyqësor në Hagë për ish-krerët e UÇK-së ishte në fokus të diskutimit në emisionin “3D” në RTSH. Analisti Neritan Alibali tha se beteja kryesore tashmë është juridike dhe duhet të zhvillohet në procesin e Apelit, ndërsa kritikoi bazën ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara.

Sipas Alibalit, ndryshimet e propozuara nga PDK-ja nuk ndryshojnë në thelb natyrën e ligji, që për të cenojnë rëndë vetë sovranitetin e Kosovës.

“Nuk më duket se ndryshimet që kërkon PDK-ja do të ndryshojnë natyrën e ligjit. Ligji është diskriminues dhe çimenton kufizimin e sovranitetit të Kosovës në mënyrë të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për një gjykatë të Kosovës që nuk ka asnjë shqiptar, por ka vetëm të huaj, dhe që vepron jashtë territorit të saj. Ka aq shumë defekte dhe shkelje të parimeve të një procesi të rregullt, sa duket sikur gjykata e ka bërë kastile këtë gjë, që më pas Apeli të ketë mundësi për ta rrëzuar”, tha ai

Analisti tha se, krahas zhvillimeve në Kosovë, edhe Shqipëria duhet të ketë një rol në debatin juridik që lidhet me bazën e krijimit të Dhomave të Specializuara. Ai iu referua raportit të Këshillit të Evropës të vitit 2011, e bazuar në deklaratat e Carla Del Ponte.

“Detyra e qeverisë shqiptare është më e madhe se ajo e Kosovës. E para duhet të kërkojë anulimin ose rrëzimin e raportit të KiE-së të vitit 2011 dhe, në momentin që rrëzohet ai raport, nisma ose mbështetja e ligjit rrëzohet. Prokurorët shqiptarë duhet të hapin hetim penal për Carla Del Ponte, pasi akuzat e saj të pabazuara janë thelbi i atij raporti. Këshilli i Evropës duhet t’i kërkojë falje Shqipërisë për miratimin e atij raporti, ku flitej edhe për akuzat për ‘Shtëpinë e Verdhë’ në vendin tonë. Kjo është betejë juridike dhe do të jetë e vështirë për të ndryshuar ligjin për Dhomat e Specializuara”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme