Kurti takohet me Erdogan në New York: Diskutuam edhe për aktgjykimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kosovë | 5 orë më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të aktiviteteve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Takimi është konfirmuar edhe nga Presidenca turke.

Sipas Kurtit, një nga temat e diskutimit ishte edhe aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët u dënuan me 81 vite burg në total.

Kurti e ka cilësuar vendimin si “të padrejtë juridikisht dhe moralisht” dhe “të pasaktë historikisht dhe faktikisht”, duke thënë se këto çështje duhet të korrigjohen në procedurën e Apelit.

Në takim, Kurti ka falënderuar Erdogan për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës, veçanërisht në diplomaci, në fuqizimin ushtarak dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, si dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Sipas kryeministrit, marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë janë zgjeruar dhe tregtia mes dy vendeve ka arritur në rreth 1 miliard dollarë, ndërsa janë rritur edhe investimet turke në Kosovë.

Në fund të takimit, kryeministri i Kosovës bëri të ditur se e ka ftuar presidentin Erdogan për një vizitë në Kosovë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme