“Trialog”/Hoxhaj: Vendimi për ish-krerët e UÇK-së, goditje e madhe për Kosovën
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e emisionit “Trialog” në RTSH, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, e cilësoi zhvillimin e 16 shtatorit dhe atë që u tha gjatë procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së si një moment të rëndë për Kosovën.
Hoxhaj tha se Kosova ndodhet përballë një udhëkryqi të madh politik dhe shoqëror, duke theksuar nevojën për, siç u shpreh ai, “pjekuri politike dhe vizion politik” për tejkalimin e situatës.
Ai tha se e kishte ndjekur procesin gjyqësor nga afër dhe se ajo që kishte ndodhur në gjykatë ishte e papritur për të.
“Ajo që ka ndodh me 16 shtator është një goditje e madhe që i kanë dhënë Kosovës dhe asnjëherë nuk kemi qenë në një udhëkryq dhe politik dhe shoqëror se sa jemi pas 16 shtatorit dhe mendoj se të gjithë jemi në një fazë komplet të re dhe natyrisht që do të bëjmë përpjekjet që të sjellim pjekuri politike dhe me vizion politik se si ta tejkalojmë këtë situatë por ajo që ndodhi në gjykatë dhe ajo çfarë u tha, dhe unë isha në galeri për ta ndjek këtë proces gjyqësor nuk mund ta imagjinoja në ëndrrën time më të keqe”, u shpreh Hoxhaj.
Hoxhaj e cilësoi këtë periudhë si “një ditë zie për Kosovën”, ndërsa shprehu shpresën se procesi do të përfundojë me një vendim të pafajësisë në shkallën e dytë.
Deputeti i PDK-së u ndal edhe te roli i UÇK-së në luftën e Kosovës, duke e cilësuar atë si një forcë aleate dhe partner të NATO-s. Sipas tij, rruga drejt pavarësisë së Kosovës ka qenë një proces politik dhe diplomatik i udhëhequr nga Perëndimi.
“Ishte një goditje e madhe, një ditë zie për Kosovën, është një fazë e vështirë në të cilën ka hy Kosova por është një fazë e cila nëse ne dimë të sillemi drejtë politikisht mendoj që mund të dalim më të fortë duke fituar në shkallën e dytë dhe duke e mbyllur këtë proces me shpallje të pafajshme. UÇK ka qenë një forcë aleate, ka qenë një partner i certifikuar i NATO-s por dhe rruga drejtë pavarësisë së Kosovës ka qenë një proces politik dhe diplomatik i udhëhequr prej perëndimit. Mendoj që jemi në udhëkryqin më të madh që ka qenë Kosova gjatë këtyre viteve pas shpalljes së pavarësisë”, tha ai.
Në vijim, Hoxhaj tha se pas përfundimit të luftës së armatosur në vitin 1999 kishte nisur, sipas tij, një tjetër përballje, të cilën e cilësoi si “luftë speciale kundër Kosovës”.
“Me fitoren tonë në luftën e armatosur me mbështetje të NATO-s, me çlirimin e Kosovës, dhe me vendosjen e Kosovës nën administrimin e OKB-s ka filluar një luftë speciale kundër Kosovës. Lufta e armatosur ka përfunduar në 1999 pas kësaj ka filluar një luftë speciale kundër idesë që Kosova të jetë e pavarur”, theksoi Hoxhaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




