Vangjeli: Pas fitores së luftës, më 16-Shtator u humb një betejë

Kosovë | 1 orë më parë

Analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar  në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH24 se vendimi i 16 shtatorit në Hagë ishte humbje e një beteje pas fitores së luftës së Kosovës.

Sipas Vangjelit, ekziston një aksiomë fatkeqe që e ndjek kombin shqiptar si një mallkim: “Çfarë ne arrijmë të fitojmë me gjak, me dhimbje, me sakrifica të jashtëzakonshme në luftë, e humbasim me mendjelehtësi kriminale në paqe. Çka u fitua 27 vjet më parë mbi qiellin dhe tokën e Kosovës, pra që u fitua lufta, një betejë u humb javës së shkuar në Hagë.”

Analisti theksoi se ky moment shkon shumë përtej ngjarjes konkrete dhe nxjerr në pah një diferencë dramatike me fqinjët e veriut.

Në qoftë se ne në Shqipëri, në Tiranë apo në Prishtinë vazhdojmë e flasim për individë, për raportet mes tyre, për raportet e tyre me pushtetin, serbët në të kundërt kanë një vijimësi institucionale, kanë një kujtesë institucionale drejt qëllimit dhe objektivit të tyre strategjik”, tha Vangjeli.

Vangjeli vuri në dukje se figurat kryesore politike në Prishtinë, gjatë 10-15 viteve të fundit, kanë shpesh shkuar më larg se gjykatësit e Hagës në akuza reciproke.

Po të dëgjosh figurat kryesore politike së paku në këto 10-15 vjetet e fundit në Prishtinë, çfarë kanë thënë për njëri-tjetrin dhe në raport me atë çfarë kanë bërë, a dyshoj se kanë bërë njëri apo tjetri, kanë qenë shumë herë më të butë sesa gjykatësit, vetëm se nuk kanë shqiptuar dënimin e tyre. Kanë folur dhe ata në emër të Kosovës, por kanë bërë po të njëjtat akuza të cilat ratifikuan gjykatësit”, u shpreh Vangjeli.

Sipas tij, ky është një moment refleksioni shumë më i rëndësishëm se vetë vendimi.

Dhe ky është një moment, një moment refleksioni, besoj shumë herë më i madh për të na treguar çfarë nuk shkon mbarë mes nesh, çfarë shkon keq mes nesh dhe unë besoj se është një dhe vetëm një: Gjakimi i frikshëm dhe kriminal drejt pushtetit”, theksoi më tej.

Vangjeli përfundoi duke thënë se reflektimi i nevojshëm duhet të shkojë përtej individëve dhe të prekë kolektivin: “Ky duhet të ishte, besoj, reflektimi ynë që shkon shumë përtej edhe ngjarjes jashtëzakonisht të dhimbshme të shndërrimit që një alkimi gati-gati misterioze i shndërroi ata burra, komandantët dhe heronjtë e një lufte, në të dënuar, në fajtorë penalë.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme