EBRD rrit lehtë parashikimin për Shqipërinë, ekonomia pritet të rritet me 3.5% në 2026-ën dhe 2027-ën
Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.5 për qind këtë vit dhe po në 3.5 për qind edhe në vitin 2027. Ky është parashikimi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ka përmirësuar me 0.1 pikë përqindjeje pritshmërinë për vitin 2026, krahasuar me qershorin.
Rritja reale ishte 3.8 për qind në 2025, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti arriti në 3.7 për qind. Zgjerimi u mbështet kryesisht nga administrata publike, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi. Ndërkohë, industria dhe bujqësia vijuan të tkurren.
Sipas EBRD-së, forcimi i lekut, kërkesa e dobët e jashtme dhe rritja e pagave po ndikojnë në konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Në anën tjetër, turizmi dhe remitancat po përmirësojnë pozicionin e jashtëm të vendit. Të ardhurat nga turizmi arritën nivele rekord, ndërsa investimet e huaja direkte u rritën me 11 për qind në tremujorin e parë të vitit.
Inflacioni u ngjit në 3.4 për qind në korrik, mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë. Norma bazë e interesit ka mbetur 2.5 për qind që nga mesi i vitit të kaluar.
Në financat publike, pas një deficiti prej 1.8 për qind të PBB-së në 2025, buxheti shënoi suficit në gjysmën e parë të këtij viti. Ndërsa borxhi publik zbriti në 49 për qind të PBB-së.
EBRD vlerëson se reformat dhe investimet e lidhura me anëtarësimin në Bashkimin Evropian mbështesin rritjen. Por konkurrueshmëria, rreziqet klimatike dhe pasiguria mbi çmimet e energjisë mbeten rreziqe për ekonominë.
Gazetare: Entela Kumnino
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




