Kontrollet për mjetet luksoze në Fier, ndalohet “Benz”-i, rezulton i kërkuar nga Interpol Manchester

Aktualitet | 1 orë më parë

Një automjet luksoz tip “Benz” është sekuestruar nga Policia e Fierit pasi gjatë verifikimeve rezultoi i shpallur në kërkim nga Interpol Manchester.

Automjeti u ndalua për kontroll nga efektivët e Fierit, në kuadër të operacionit për verifikimin e automjeteve luksoze dhe burimit të të ardhurave për blerjen e tyre.

Gjatë verifikimeve, Policia konstatoi se automjeti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Manchester.

Për këtë rast u procedua në gjendje të lirë 26-vjeçari E. D., banues në Mallakastër, i cili kishte në përdorim automjetin. Ai po procedohet për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Ndërkohë, në kuadër të një tjetër operacioni të zhvilluar në Fier, Policia ka goditur një rast të armëmbajtjes pa leje.

Në operacionin e koduar “No Guns 5”, u arrestua 66-vjeçari R. M., banues në Fier, pasi dyshohej se posedonte armë zjarri në banesë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri tip automatik, së bashku me një krehër me 29 fishekë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme