Rama: Transformimi dhe futja në BE, misioni im për Shqipërinë

Politikë | 2 orë më parë

Duke folur për drejtësinë dhe akuzat ndaj qeverisë, kryeministri Edi Rama tha se misioni i tij është transformimi i Shqipërisë dhe jo pasurimi personal.

“Mund të kem bërë gabime, por kurrë para pronës apo çfarëdo para ligjit nuk e kam përkulur bindjen që në këtë rrugë jam për të dhënë, jo për të marrë; jam për të bërë histori, jo për të vënë pasuri. Jam për të lënë emrin, jo për të fryrë xhepat.  Jam për të transformuar Shqipërinë dhe jo për të deformuar vetveten”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se e dëshiron Shqipërinë “me kokën lart” dhe si pjesë të Bashkimit Europian, ndërsa theksoi rëndësinë e një shteti ligjor dhe të një drejtësie të pavarur.

“Unë e dua këtë vend me kokën lart, me flamurin sa më lart, të barabartë mes të barabartëve, në tryezat më të larta. E dua në BE brenda kësaj dekade, në shtet ligjor dhe me drejtësi të pavarur prej meje dhe prej çdo qeverie pas meje”, tha ai.

Rama iu referua edhe kritikave dhe akuzave për korrupsion ndaj qeverisë, duke deklaruar se kundërshtarët e tij po e përdorin çështjen e drejtësisë si një mjet politik kundër tij.

“Sot, kur kam dalë në këtë sallë, pikërisht tema e drejtësisë, të gjithë kundërshtarët kujtojnë se kanë shpikur bombën që do të hedhë përtokë Ramën, që na mbyti korrupsioni. Le ta hedhin atë bombë, le ta hedhin atë bombë mëngjes, drekë e darkë në ekranet televizive, le ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se akuzat nuk mund të zhbëjnë atë që ai e cilësoi si “pastërtinë e luftës” së tij politike dhe qeverisëse, duke pretenduar se qeveria e tij ka transformuar vendin.

“E cila, duan, s’duan apo edhe kurrë mos ta dinë, i riktheu këtij vendi kryeqytetin e varrosur nën plehra dhe po transformon Shqipërinë, duke e ringritur shtetin shqiptar drejt një maje, drejt një maje që nuk ka qenë kurrë”, deklaroi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme