Tentuan të zhvasnin 100 mijë euro, kapen dy të rinj, iu prezantuan Armando Dukës në emër të Taulant Ballës

Aktualitet | 2 orë më parë

Dy të rinj, përkatësisht 23 dhe 24-vjeçarë, u prangosën nga Policia e Tiranës, pasi tentuan të mashtrojnë Armando Dukën, duke përvetësuar 100 mijë euro.

Të dhënat paraprake nga blutë e kryeqytetit, bëhet me dije se dy të rinjtë: Edison Korra dhe Orest Balla, iu prezantuan Armando Dukës në emër të Taulant Ballës, por pas tyre dyshohet se fshihet Florian Gjergji.

Dy të arrestuarit komunikuan me Armand Dukën në platforma komunikimi online, me qëllim përfitimin e 100 mijë eurove në kriptovaluta, por Duka sapo ka kuptuar  se bëhej fjalë për një tentativë mashtrimi dhe ka njoftuar policinë.

Duka u ka thënë të rinjve, se nuk merrej me transaksione të tilla dhe i ka orientuar që të lidheshin me djalin e tij, pasi ai mund merrej me këto çështje.

Policia vendosi që të përfshinte një agjent të infiltruar në komunikimin me dy të arrestuarit, i cili është prezantuar si djali i Armando Dukës, duke u thënë se paratë nuk mund t’i dërgonte në kriptovaluta, por do t’ua dorëzonte në cash.

Dy autorët pranuan dhe kërkuan që paratë t’ua dorëzonte në Elbasan, aty ku më pas u realizua .

Policia tha se, hetimet vijojnë me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast, ku dyshohet se qëndron Florian Gjergji, një emër që edhe herë të tjera ka kryer mashtrime të tilla.

Gjergji mbetet në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet, ku dyshohet se gjithë aktivitetin e realizon nga distanca, duke përdorur identitete të personazheve publikë, për t’i kërkuar para palëve të treta.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme