Teherani: I kemi dërguar Trumpit kushtet tona për t’i dhënë fund luftës, s’po merr një vendim

Botë | 1 orë më parë

Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, ka deklaruar se Irani i ka komunikuar Shteteve të Bashkuara kushtet e veta për t’i dhënë fund luftës, por se presidenti amerikan Donald Trump nuk ka qenë në gjendje të marrë një vendim.

Duke folur gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin e Azerbajxhanit, Shahin Mustafayev, Rezaei tha se Trump është “i bllokuar në një qorrsokak ku as nuk mund të negociojë dhe as nuk mund të bëjë luftë”, sipas raportimit të televizionit iranian IRIB.

Ndërkaq, më herët, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se konflikti me Iranin do të përfundojë shumë shpejt. Ky qëndrim ka shkaktuar rënien e menjëhershme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Trump i bëri këto komente gjatë një fjalimi të mbajtur në Uashington, D.C., ku ishte i pranishëm për të prezantuar një platformë të re federale të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale (AI).

Ai theksoi se Irani po dështon “shumë rëndë” në planin e brendshëm dhe ekonomik.

Çështja bërthamore: Presidenti amerikan përsëriti qëndrimin e tij të prerë se Republika Islamike e Iranit “nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore”.

“Kjo do të marrë fund shumë shpejt. Ata nuk do të kenë armë bërthamore dhe çmimet e naftës do të bien ndjeshëm, fiks ashtu siç ishin para se të më duhej të bëja atë vizitë të vogël në Republikën Islamike të Iranit”, u shpreh Trump.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme