Alarmet ajrore i kushtojnë Ukrainës 45 milionë dollarë në orë, ekonomia nën presionin e sulmeve ruse

Alarmet për sulme ajrore po shkaktojnë humbje të konsiderueshme për ekonominë ukrainase, me rreth 45 milionë dollarë të humbura për çdo orë ndërprerjeje të aktivitetit. Kështu ka deklaruar ministri i Ekonomisë dhe Mjedisit të Ukrainës, Oleksandr Kravchenko. Sipas këtij të fundit, sirenat e alarmit mund të zgjasin deri në 10 orë në ditë, duke detyruar mijëra punonjës të ndërpresin punën dhe të strehohen.
“Kur njerëzit janë në bunker, biznesi ndalet”, tha ministri, duke theksuar koston e lartë ekonomike të ndërprerjeve të vazhdueshme. Për të kufizuar dëmet, qeveria ukrainase ka vendosur një sistem paralajmërimi me dy nivele. Alarmi “i kuq” sinjalizon një kërcënim raketor dhe kërkon evakuimin e njerëzve në strehimore, ndërsa alarmi “i verdhë” përdoret për kërcënimet nga dronët dhe u lejon shumë bizneseve të vijojnë aktivitetin.
Më shumë se gjysma e bizneseve vazhdojnë të punojnë gjatë alarmeve të verdha, sipas ministrit. Megjithatë, ky nivel alarmi nuk garanton siguri të plotë. Rreziku u evidentua të hënën, kur një dron rus me motor reaktiv goditi Akademinë Kombëtare të Shkencave në qendër të Kievit gjatë një alarmi të verdhë. Sulmi shkaktoi dy viktima, ndërsa në ndërtesë kishte ende punonjës.
Kravchenko tha se sulmet ruse kanë shkaktuar rreth 10 miliardë dollarë dëme në asete fikse vetëm gjatë këtij viti. Ndër objektivat e goditura janë industria e çelikut, depot, infrastruktura logjistike dhe qendrat e të dhënave. Paralelisht, bllokimi i porteve të Detit të Zi ka kufizuar ndjeshëm eksportet ukrainase.
Ministri paralajmëroi se Ukraina mund të përballet me një nga dimrat më të vështirë të luftës, për shkak të presionit të pritshëm mbi furnizimin me energji, infrastrukturën dhe aktivitetin e bizneseve.
Qeveria po shqyrton gjithashtu mundësinë që më shumë kompani private të kenë akses për të blerë sisteme të mbrojtjes ajrore. Megjithatë, Kravchenko pranoi se bizneset nuk mund të mbrohen plotësisht nga sulmet me raketa dhe dronë.
Kievi po përballet me vështirësi në ruajtjen e aktivitetit ekonomik, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës që mbështet ekonominë e vendit. Në shënjestër kanë qenë fabrika, magazina, qendra logjistike dhe, së fundmi, qendra të të dhënave.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





