Ekranet dhe fëmijët, specialistët apelojnë të tregohet kujdes me kohëzgjatjen e përdorimit
Telefonat, tabletët dhe pajisjet e tjera elektronike janë bërë pjesë e përditshmërisë së fëmijëve, por përdorimi i zgjatur i tyre mund të ndikojë në mënyrën se si ata ndërveprojnë dhe komunikojnë me mjedisin përreth. Terapistja e zhvillimit Irena Danjolli flet për ndikimin e kohës së gjatë para ekranit në zhvillimin e të folurit dhe gjuhës, si dhe për rastet që hasen në Kukës.
“Përdorimi i ekraneve dhe i mjeteve teknologjike është vënë re që ka një ndikim shumë të madh në zhvillimin e fëmijëve, qoftë në ato gjuhësor, zhvillimin emocional të komunikimit dhe të lojës. Shikojmë shpesh probleme të zhvillimit të fëmijëve me shkaktar ose me ndërlidhje me ekranet”, tha ajo.
Kur një fëmijë shfaq vështirësi të vazhdueshme në të folur, nuk kupton udhëzime të thjeshta, nuk komunikon sipas moshës apo ka vështirësi në përqendrim dhe ndërveprim, rekomandohet konsultimi me një specialist.
“Problemet kryesore që vihen re nga prindërit janë mungesa e gjuhës së folur. Fëmija nuk ka ndërveprim social, ka vështirësinë të bërit shok. Mungesa e shikimit në sy vihet re që nëntë muajsh tek fëmijët. Kthimi i kokës kur fëmija thërritet në emër vazhdon që gjashtë muajsh”, shtoi terapistja.
Vendosja e një rutine të qartë, kufizimi i kohës para ekranit dhe përfshirja e fëmijës në aktivitete të përbashkëta janë disa nga mënyrat që mund të ndihmojnë prindërit.
Në vend të qëndrimit të gjatë para ekranit, specialistët rekomandojnë më shumë kohë për lojë, biseda, lexime dhe aktivitete që nxisin komunikimin dhe ndërveprimin e drejtpërdrejtë me fëmijën.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





