Universiteti i Tiranës në renditjen botërore, Shqipëria për herë të parë në klasifikimin e Times Higher Education

Sociale | 1 minutë më parë

Shqipëria hyn për herë të parë në hartën e renditjes botërore të universiteteve. Është Universiteti i Tiranës ai i cili është rankuar nga Times Higher Education për vitin 2027. Në klasifikimin ku përfshihen 2297 universitete nga 118 vende të botës, universiteti shqiptar renditet në grupin 2001+. Një përfshirje që shënon një moment të ri për arsimin e lartë në vend, por që njëkohësisht tregon dhe pozicionin në rankim, duke u krahasuar me institucionet e njohura akademike ndërkombëtare.

Në krye të klasifikimit, për shumë vite me radhë, qëndron Universiteti i Oksfordit, i ndjekur nga Instituti i Teknologjisë të Masacusets dhe universiteti Princeton e Stanford.

Por si caktohet pozicioni i një universiteti në këtë renditje?

Vlerësimi nuk mbështetet vetëm te cilësia e mësimdhënies. Ai përfshin 17 tregues performance: mësimdhënia, kërkimi shkencor, ndikimi i publikimeve akademike, ndërkombëtarizimi dhe bashkëpunimi me industrinë. Përfshirja në këtë klasifikim kërkon gjithashtu kapacitete të konsoliduara kërkimore, me të paktën 1000 publikime shkencore në pesë vite, sipas kritereve të përcaktuara nga organizata.

Universiteti i Tiranës e ka cilësuar këtë përfaqësim si një moment historik, duke vënë në dukje bashkëpunimet ndërkombëtare, projektet kërkimore dhe punën për rritjen e kapaciteteve akademike.

Tashmë Universitetit të Tiranës, përtej rëndësisë së përfshirjes, i mbetet në vitet në vijim sfida e përmirësimit të pozicionit, ndërsa institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend do të përpiqen të zgjerojnë përfaqësimin shqiptar të universiteteve në renditjet e ardhshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme