Vittorio Sgarbi në terapi intensive, kritiku i njohur italian i artit në gjendje të rëndë

Botë | 1 orë më parë

Kritiku i njohur italian i artit, Vittorio Sgarbi, 74 vjeç, është shtruar në spitalin poliklinik “Agostino Gemelli” në Romë dhe ndodhet në terapi intensive, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet si e rëndë.

Shtrimi në spital është konfirmuar nga vetë struktura spitalore, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura arsyet që kanë çuar në hospitalizimin e tij.

Sgarbi kishte marrë trajtim edhe në mars të vitit të kaluar në të njëjtin spital, për shkak të një sindrome të rëndë depresive. Gjendja e tij në atë periudhë ishte shoqëruar me periudha izolimi, humbje të konsiderueshme në peshë dhe refuzim për t’u ushqyer.

Në shkurt të këtij viti, kritiku i artit u shfaq sërish në publik, gjatë një aktiviteti në Certosa di Ferrara. Në pamjet e publikuara në atë kohë, ai dukej fizikisht i dobësuar, me vështirësi në ecje dhe një pamje të lodhur. Sgarbi shoqërohej nga partnerja e tij, Sabrina Colle.

Më 8 maj, Sgarbi festoi 74-vjetorin e lindjes në Venecia. Ndër personat e parë që e uruan ishte presidenti i Bienales së Venecias, Pietrangelo Buttafuoco, i cili e priti në selinë e Fondacionit, në Cà Giustinian.

Muajt e fundit, emri i Sgarbit ka qenë gjithashtu në qendër të një çështjeje gjyqësore të nisur nga vajza e tij, Evelina. Ajo i është drejtuar Gjykatës Civile të Romës me kërkesë për emërimin e një administratori mbështetës për të atin, duke argumentuar se ai nuk është më në gjendje të menaxhojë në mënyrë të pavarur çështjet personale dhe interesat e tij.

Në fillim të këtij viti, Sgarbi u përmend edhe për shkak të një procesi gjyqësor lidhur me veprën “La cattura di San Pietro” të piktorit Rutilio Manetti. Ai u shpall i pafajshëm nga akuza për riciklim parash në këtë çështje.

Vittorio Sgarbi ka një lidhje mjaft të fortë dhe të njohur me Shqipërinë. Ai ka një vajzë nga një marrëdhënie e tij me një këngëtare lirike shqiptare, Alba Sgarbi, e lindur në vitin 1998 në Tiranë. Sgarbi e ka njohur publikisht vajzën e tij, është shfaqur shpesh me të dhe ka shprehur vazhdimisht vlerësimin dhe dashurinë e tij për kulturën dhe popullin shqiptar. Në vitin 2020, ai bëri bujë në mediat shqiptare gjatë një vizite pushimesh në jug të Shqipërisë (në Palasë), ku për shkak të dallgëve të forta rrezikoi të mbytej, por u ndihmua pikërisht nga vajza e tij Alba dhe rojet e plazhit.

Si një nga kritikët më të rëndësishëm të artit në Evropë, Sgarbi ka vizituar Shqipërinë shumë herë dhe ka promovuar trashëgiminë tonë kulturore. Ai ka qenë mik i afërt me figura të njohura të politikës dhe artit në Shqipëri.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme