Komisioni hetimor për 11 majin/ Gjiknuri: Vendimi i Kushtetueses i detyrueshëm. Kaso: Të përcaktohen hapat proceduralë

Politikë | 2 orë më parë

Këshilli i Legjislacionit shqyrtoi sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese për komisionin hetimor parlamentar mbi zgjedhjet e 11 majit 2025, pas shfuqizimit të vendimit të Kuvendit që kishte rrëzuar ngritjen e këtij komisioni të kërkuar nga opozita. Kryetari i Këshillit të Legjislacionit, Damian Gjiknuri, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është detyrues për Kuvendin dhe se tashmë duhet të përcaktohen hapat proceduralë për zbatimin e tij. Ai sqaroi se Këshilli i Legjislacionit është organi që, në bazë të Rregullores së Kuvendit dhe urdhrit të Kryetarit të Kuvendit, duhet të shqyrtojë vendimin e Kushtetueses dhe të përcaktojë mënyrën e vijimit të procedurave

“Gjykata Kushtetuese ia ka kthyer Kuvendit, pra e ka shfuqizuar pjesërisht këtë vendim. Kuptohet që ankimi kishte dhe një objekt tjetër, por ai objekt është refuzuar. Dihet që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm, prandaj Kuvendi do të gjejë modalitetet e nevojshme për të rifutur edhe një herë këtë çështje”, u shpreh Gjiknuri.

Nga opozita, deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, kërkoi që procedurat për zbatimin e vendimit të Kushtetueses të përshpejtohen. Sipas Kasos, zbatimi i vendimit përbën përgjegjësi institucionale dhe lidhet me parimin e lojalitetit kushtetues mes institucioneve. Ai argumentoi gjithashtu se çështja duhet të trajtohet me shpejtësi përpara periudhës së ardhshme zgjedhore, duke theksuar se problematikat e evidentuara gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025 duhet të shqyrtohen përpara zgjedhjeve të ardhshme.

“Është përgjegjësi e këtij Kuvendi të adresojë në kohën më të shpejtë. Tregon përgjegjësi institucionale dhe hyn në parimin e lojalitetit kushtetues që duhet të kenë institucionet me njëri-tjetrin. Të gjejmë mënyrën dhe hapat ekzaktë proceduralë se si këtë vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese ta bëjmë realitet nëpërmjet detajimit të hapave proceduralë”, tha deputeti i PD-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme