Putin paralajmëron Perëndimin: Rusia mund të përdorë “të gjitha armët” nëse sulmohet Kaliningradi

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin se Moska është e gatshme të përdorë të gjitha armët në arsenalin e saj, përfshirë armët bërthamore, në rast të një sulmi ndaj Kaliningradit. Duke folur në Klubin e Diskutimit Valdai në Moskë, Putin tha se Rusia nuk ka plane të sulmojë vendet evropiane, por paralajmëroi se do t’i përgjigjej çdo agresioni kundër territorit rus. Në deklaratën e tij, presidenti rus iu referua veçanërisht Kaliningradit, enklavës ruse në Detin Baltik, e cila kufizohet me Poloninë dhe Lituaninë, të dyja vende anëtare të NATO-s.
“Stërvitjet në Detin Baltik, njëra pas tjetrës… E gjithë kjo është një përshkallëzim”, tha Putin, duke iu referuar aktiviteteve ushtarake të NATO-s në rajon. Ai paralajmëroi se nëse do të kishte një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë në Kaliningrad apo në territore të tjera ruse, përdorimi i “të gjitha armëve” të vendit do të vihej në diskutim.
Paralajmërimi vjen në një periudhë tensionesh të shtuara mes Rusisë dhe NATO-s. Aleanca i ka përshkruar stërvitjet e saj pranë Kaliningradit si masa mbrojtëse dhe pjesë të përpjekjeve për të forcuar parandalimin. Moska, ndërkohë, ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjej në rast të një përpjekjeje për të bllokuar Kaliningradin nga ajri ose deti.
NATO, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende evropiane kanë akuzuar gjithashtu Rusinë për zhvillimin e aktiviteteve hibride kundër tyre, përfshirë sulme kibernetike, sabotime dhe operacione spiunazhi. Rusia i ka mohuar akuzat për veprime të tilla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





