Përmeti mbledh 83.5% të të ardhurave vendore, bashkia paralajmëron masa ndaj debitorëve

Aktualitet | 1 orë më parë

Bashkia e Përmetit ka mbledhur 83.5% të të ardhurave të planifikuara për periudhën janar–shtator. Ky rezultat nuk konsiderohet i kënaqshëm nga strukturat e Tatim-Taksave, të cilat synojnë rritjen e nivelit të arkëtimeve nga taksat dhe tarifat vendore.

“Nuk jemi në pritshmërinë e duhur për arsye se ka shumë biznese që akoma nuk e kanë paguar atë detyrimin që kanë për taksa dhe tarifa vendore për bashkinë përmet. Kurse për sa i përket popullatës, neve e mbledhim nëpërmjet agjentit tatimor sh.a. ujësjellës dhe vjelja e të ardhurave është mëse e kënaqshme. Zakonisht janë biznese të vogla të cilat ë detyrimin e tyre zakonisht e derdhin në periudhën nëntor-dhjetor”, deklaroi Etleva Myftari, Drejtoreshë e Tatim-Taksave.

Drejtoresha e Tatim-Taksave, Etleva Myftari, bën të ditur se për subjektet tregtare dhe familjet që nuk kanë shlyer detyrimet financiare, parashikohen masa ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Përballë këtij niveli arkëtimesh, apeli i Bashkisë së Përmetit drejtohet ndaj qytetarëve dhe bizneseve për të shlyer në kohë detyrimet tatimore vendore.

“Bëj thirrje gjithë bizneseve, gjithë familjarëve të cilët kanë detyrime pranë bashkisë Përmet që të vijnë të paguajnë detyrimet se të gjitha këto detyrime nesër përkthehen në kosto shërbimesh për një qytet më të pastër, për një qytet të ndriçuar dhe për një qytet të gjelbëruar në çdo stinë”, shtoi Myftari. Ndërkaq korrektësia e qytetarëve dhe bizneseve në shlyerjen e detyrimeve konsiderohet thelbësore për realizimin e të ardhurave të planifikuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme