Dita e 14-të e protestës, pas Ministrisë së Arsimit studentët marshojnë drejt Kryeministrisë

Protesta e studentëve, pedagogëve dhe të rinjve në Tiranë vijon për të 14-ën ditë radhazi. Protestuesit pasi u mbledhën para Ministrisë së Arsimit, ku kanë përsëritur kërkesat e tyre dhe kanë bërë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra, kanë marshuar drejt Kryeministrisë.
Situata para Ministrisë së Arsimit ka qenë e qetë gjatë grumbullimit të protestuesve, ndërsa në zonë ishte vendosur një kordon policie për monitorimin e zhvillimeve.
“Studentët, pedagogët dhe gjimnazistët protestues, si edhe në ditët e mëparshme, janë mbledhur në orën 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit. Situata ka qenë e qetë deri në këto momente dhe nuk ka pasur thirrje apo akte dhune ndaj institucionit të ministrisë apo forcave të policisë”, raportoi gazetarja Keti Toroveci.
Ajo shtoi se protestuesit vijojnë të grumbullohen në zonë, ndërsa janë marrë masa për devijimin e trafikut.
“Protestuesit po grumbullohen gradualisht, ndërsa është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në Rrugën e Durrësit. Gjithashtu, ka pasur komunikime mes protestuesve dhe forcave të policisë, por pa incidente”, tha Toroveci.
Gjatë grumbullimit para Ministrisë së Arsimit, protestuesit brohoritën në kor thirrje si “Dorëheqje” dhe “Revolucion”.
Protestuesit kanë refuzuar edhe këtë herë ftesën e kryeministrit për dialog.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




