SHBA gati për sulme ndaj Iranit, operacionet ushtarake brenda 96 orëve, diplomacia intensifikohet

Botë | 30 minuta më parë

Lindja e Mesme ndodhet sërish në prag të një përshkallëzimi të rrezikshëm, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten për mundësinë e sulmeve të reja ndaj Iranit.

Sipas CNN, që citon zyrtarë amerikanë, ushtria mund të nisë operacione të reja brenda 96 orëve nga marrja e urdhrit të presidentit Donald Trump, ndërsa planet përfshijnë objektiva ushtarake, energjetike dhe bërthamore.

Megjithatë, Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, ndërsa Uashingtoni po shqyrton edhe pasojat e mundshme të një ndërhyrjeje të re dhe rrezikun e kundërpërgjigjes iraniane.

Në këtë klimë tensioni, delegacione të nivelit të lartë nga Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani kanë mbërritur në Teheran, në përpjekje për të shmangur një konflikt më të gjerë dhe për të nxitur një marrëveshje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Në bisedime pritet të diskutohen edhe një mekanizëm i ri sigurie për rajonin dhe mundësia e përfshirjes së Iranit në një marrëveshje bashkëpunimi mes vendeve islame. Një tjetër çështje e rëndësishme është ndikimi i rebelëve Huthi në Jemen dhe sulmet e tyre ndaj objektivave saudite, të cilat kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e vendeve të Gjirit.

Zëdhënësi i diplomacisë iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se siguria e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes besimit dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Ndërkohë, Uashingtoni vijon presionin ndaj Teheranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, dhe  prania ushtarake amerikane në rajon mbetet e lartë

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme