“Historitë e Çmendura të Tiranës”, Ben Blushi njofton romanin e tij më të ri kushtuar kryeqytetit

Letërsi | 1 orë më parë

Shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi ka njoftuar përfundimin e veprës së tij më të re letrare të titulluar “ Historitë e Çmendura të Tiranës“. Lajmi është bërë me dije nga vetë autori përmes një komunikimi në rrjetet sociale, ku ka zbuluar detajet e para mbi konceptimin, udhëtimin historik dhe datën e publikimit të romanit.

Autori ka konfirmuar përfundimin e procesit të shkrimit dhe dërgimin e dorëshkrimit për botim, duke u shprehur se “Historitē e Cmendura të Tiranës është romani im i ri që sot shkoi në shtypshkronjën Onufri”.

Sipas Blushit, shtysa kryesore për këtë sipërmarrje letrare buron nga lidhja personale me vendlindjen dhe mungesa e literaturës kushtuar saj.

“Ky roman u shkrua nga keqardhja për qytetin ku kam lindur. Për Tiranën ka më pak libra se për çdo kryeqytet tjetër evropian”, nënvizon ai në mesazhin e tij.

Në aspektin përmbajtësor, romani ndërton një narrativë të gjerë kronologjike që përfshin katër shekuj dinamikë të zhvillimit të qytetit. Blushi sqaron se vepra “tregon luftërat, pushtimet, ndërtimet dhe intrigat që i bënë njeri-tjetrit qindra pashallarë, bejlerë, aventurierë, ushtarakë, shkrimtarë, poetë, mbretër dhe perandorë për të kontrolluar qytetin nga viti 1600 deri në vitin 2000”.

Përmes këtij vështrimi historik, romani sjell një mesazh mbi qëndrueshmërinë dhe aftësinë rigjeneruese të kryeqytetit përballë sprovave ndër shekuj.

Autori argumenton se “kushdo që do lexojë këtë histori të shtrirë në 400 vjet do kuptojë se Tirana është djegur disa herë siç po ndodh dhe sot dhe gjithmonë është ringritur më e bukur dhe më vitale”, duke e cilësuar si “një koincidencë fatale, aspak e planifikuar që libri botohet pikërisht këto ditë kur qyteti po vuan”.

Sipas njoftimit zyrtar të autorit, shpërndarja e veprës në rrjetin tregtar do të nisë së shpejti, ku “duke nisur nga data 3 nëntor “Historitë e Çmendura të Tiranës” do jetë nē çdo librari”.

  • /rtsh.al/

     


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme