I shkroi të birit që vdiq deri në frymëmarrjen e fundit/ Përkthyesja rrëfen historinë pas Bestseller-it të NY Times: Kam qarë me ngashërim
Romani “Korrespondentja” nga Virginia Evans, bestseller i New York Times dhe fitues i Women’s Prize 2026, vjen për lexuesin shqiptar me përkthimin e Elsa Skënderit. Në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, përkthyesja ndau me dëgjuesit prapaskenat e punës me këtë libër dhe forcën e jashtëzakonshme emocionale që mbart ai.
E ndërtuar tërësisht përmes letrash që personazhi kryesor këmben me familjarë, miq e shkrimtarë të mëdhenj, “Korrespondentja” sjell një formë narrative sa të brishtë, aq edhe komplekse. Në qendër është Sibila Van Antuerp, një grua në moshë të shtyrë, e cila përballet me pleqërinë dhe me kërcënimin e humbjes së shikimit.
Ndryshe nga mënyra klasike e të shkruarit, kjo strukturë kërkon një mjeshtëri të veçantë artistike, siç shpjegon edhe përkthyesja. “Është shumë e vështirë që ti të rrëfesh një jetë të tërë përmes letrave. Fakti që rrëfen pa pasur një rrëfimtar klasik që tregon ngjarjet në mënyrë lineare, është me të vërtetë origjinale dhe mjaft e gjetur”.
Të shkruarit për Sibilën është një nevojë ekzistenciale. E gjithë jeta e saj është udhëhequr nga një shënim i vogël që e ëma biologjike i kishte lënë përpara se ta jepte për birësim. “Kjo letër është guri i rëndesës së ekzistencës së Sibilës. Përmes letrave ajo përpiqet të kuptojë se kush është dhe të bjerë në gjurmët e prejardhjes së saj”.
Sidoqoftë, plaga më e rëndë në jetën e Sibilës mbetet humbja e djalit të saj të vogël, një tragjedi që solli divorcin me të shoqin dhe një ndjesi të pashlyeshme faji. Përkthyesja tregon se kjo dramë mbart peshën më të madhe emotive të librit. “Deri në fund, sa shikimi e la, vazhdon t’i shkruajë të birit të ndarë nga jeta. Ka një ndjesi të pashlyeshme faji sepse ajo ngjarje mund të ishte shmangur nëse nuk do i ishte kushtuar aq shumë punës. Në moment që i biri ndërron jetë ajo është duke u marrë me një dosje gjyqësore. Ky aspekt qëndron aty për të parë përmasat që mund të marrë dhimbja e një nëne”.
Pavarësisht dhimbjes, “Korrespondentja” nuk është një roman pesimist. Ai mbart mesazhin e fortë se jeta ruan gjithmonë surpriza, madje edhe atëherë kur mendojmë se çdo kapitull është mbyllur, siç është gjetja e një dashurie të re në perëndim të jetës. “Është frymëzuese sepse tregon se për sa kohë je gjallë gjërat nuk mbarojnë. Shpresa dhe dashuria për jetën janë ato që të çelin shtigje që ti as nuk i ke imagjinuar. Jeta nuk mbaron as në fund”.
Procesi i sjelljes së këtij libri në gjuhën shqipe nuk ka qenë thjesht një punë teknike për Elsa Skënderin, por një udhëtim i thellë shpirtëror. Ajo pranon se përkthimi e ka prekur deri në lot, veçanërisht në faqet e fundit të romanit. “Të përkthyerit është mënyra më besnike për ta lexuar një libër. Gjatë kohës që përktheja jam prekur dhe jam përlotur kur kam kuptuar se çfarë qëndron pas asaj letre që nuk dërgohet asnjëherë. Në fund të romanit kam qarë me ngashërim kur përktheja në orën 3 ose 4 të mëngjesit. E kanë të bukurën se janë emocione të vërteta dhe njerëzore”.
“Korrespondentja” vjen te lexuesi shqiptar jo vetëm si një nga 50 librat më të mirë, shpallur nga The Washington Post, por si një pasqyrë e sinqertë e shpirtit njerëzor, ku secili mund të gjejë një pjesë të vetvetes.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




