Netanyahu dhe Eisenkot në garë për drejtimin e Izraelit, pjesëmarrje rekord prej 66.7% deri në orën 18:00

Botë | 2 orë më parë

Izraeli po zhvillon sot një nga proceset zgjedhore më të rëndësishme të viteve të fundit, me qytetarët që votojnë për përbërjen e re të Knesset-it dhe qeverinë e ardhshme, në zgjedhjet e para parlamentare që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe luftërat që pasuan në Gaza, Liban dhe Iran.

Pjesëmarrja e lartë e votuesve po shënon zgjedhjet parlamentare në Izrael, ku deri në orën 18:00 kishin votuar 66.7% e qytetarëve me të drejtë vote, niveli më i lartë i regjistruar në më shumë se 50 vjet.

Kjo shifër konsiderohet më e larta e regjistruar në këtë fazë të procesit zgjedhor në më shumë se pesë dekada.

Në garën që konsiderohet vendimtare për të ardhmen politike të vendit dhe rajonit, izraelitët po zgjedhin parlamentin e ri dhe qeverinë e ardhshme mes një gare të fortë midis kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe rivalit të tij, Gadi Eisenkot.

Mbi 7 milionë qytetarë me të drejtë vote janë thirrur në qendrat e votimit, ndërsa gara kryesore zhvillohet mes kryeministrit në detyrë, Benjamin Netanyahu, dhe sfiduesit të tij kryesor, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot.

Më herët, deri në orën 16:00, pjesëmarrja ishte 55.7%, gjithashtu ndjeshëm më e lartë se në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Autoritetet zgjedhore e kanë cilësuar interesimin e qytetarëve si të jashtëzakonshëm.

Në garë marrin pjesë 36 parti politike, por sipas sondazheve dhe projeksioneve paraprake, vetëm një pjesë e tyre pritet të kalojnë pragun elektoral prej 3.25% dhe të sigurojnë vende në parlament.

Ndërkohë, në Tel Aviv u regjistrua edhe një incident sigurie. Policia izraelite arrestoi një person të armatosur me thikë, i cili sipas autoriteteve po afrohej në mënyrë kërcënuese drejt liderit të Partisë Demokratike, Yair Golan, gjatë aktiviteteve të tij elektorale. Nuk raportohet për të lënduar.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 22:00 sipas kohës lokale, ndërsa menjëherë pas mbylljes së tyre pritet publikimi i sondazheve të para të daljes nga votimi, të cilat do të japin një panoramë paraprake të rezultatit.

Megjithatë, rezultatet zyrtare nuk do të shpallen menjëherë. Numërimi përfundimtar pritet të zgjasë deri më 4 nëntor, pasi duhet të përfshihen edhe të ashtuquajturat “zarfe të dyfishta”, votat e ushtarëve, diplomatëve, pacientëve në spitale dhe qytetarëve që votojnë larg vendbanimit të tyre.

Në orët e fundit të votimit, partia Likud e Benjamin Netanyahut dhe aleatët e saj kanë intensifikuar thirrjet për mobilizimin e elektoratit, ndërsa kampi i Eisenkotit po bën përpjekjet e fundit për të përfituar nga pjesëmarrja e lartë.

Këto zgjedhje konsiderohen vendimtare jo vetëm për drejtimin e ardhshëm politik të Izraelit, por edhe për ndikimin që rezultati mund të ketë në zhvillimet e sigurisë dhe ekuilibrat gjeopolitikë në të gjithë Lindjen e Mesme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme