Jetën ia mori kunati?! “Arlinda dhunohej nga burri”, rrëfehet e prekur mikja e saj

Kosovë | 1 orë më parë

Vrasja e 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Pejë të Kosovës është trajtuar në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH1. Zekaj  kishte denoncuar dhunën në familje, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe ishte shoqëruar nga policia për t’u kthyer në shtëpi te djali i saj, por u gjet e vrarë në dhomën e gjumit. Autor i dyshuar është kunati i saj i cili është shpallur në kërkim, ndërsa është ndaluar edhe ish-bashkëshorti.

Ndërkaq, mikja e ngushtë e Arlindës, Iliriana Zhubi, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara, dha një rrëfim të dhimbshëm për jetën e saj.

Sipas saj, Arlinda kishte jetuar për vite me dhunë psikologjike sistematike nga ish-bashkëshorti Jetoni.

“Në çdo telefonatë dhe në çdo bisedë, Arlinda ishte e rënduar shpirtërisht. Gjithmonë kishte frikë se një ditë ndarja do t’i shkatërronte jetën djalit dhe do përfundonte me vrasjen e saj. Ajo thoshte: ‘Atë ditë që do të ndahem nga Jetoni, do të jetë vdekje për mua. Ata do më vrasin”, tregoi Iliriana, e prekur thellë.

Ajo shpjegoi se Arlinda kishte denoncuar dhunën edhe në SHBA para dy vitesh, por e kishte tërhequr denoncimin shpejt, me shpresën se kthimi në Kosovë do t’i përmirësonte raportet, por kjo nuk ndodhi.

“Domethënë kohë pas kohe ka qenë dhunë fizike nuk ka dëshmuar ndonjëherë Alinda. Po dhuna psiqike ka qenë prezente gjatë tërë kohës. Ish-burri i saj gjithmonë e ka parë Arlindën si një grua më të ulët, më të dobët. nuk e ka respektuar, gjithmonë e ka ofenduar, e ka përbuzur me fjalët më të liga, pavarësisht nëse ka qenë prezencën e dikujt apo kur kanë qenë ata vetëm, gjë që e ka lënduar shpirtërisht gjithmonë domethënë Arlindën. dhe një raport i tillë ka përfunduar edhe në denoncim në polici në Shtetet e Bashkuara të Amerikës para dy vitesh, për të cilën pastaj pas një kohe të shkurtër Arlinda domethënë e ka tërhequr atë denoncim brenda disa orësh, brenda një afati shumë të shkurtër gjithmonë me shpresën se do kthehen në Kosovë, se gjërat do përmirësohen, domethënë se situata e tyre do jetë më ndryshe, por nuk ndodhi”, shprehet Iliriana.

Familja e ish-bashkëshortit, sipas mikes, nuk e kishte pranuar kurrë martesën.

Raportet ishin të acaruara deri në atë pikë sa vëllai i Jetonit (kunati i Arlindës) e kishte kërcënuar vëllanë e tij me vdekje.

Pas kërkesës për divorc, kujdestaria e djalit u nda fillimisht me orar. Arlinda ishte e bindur se duke ndjekur ligjin dhe urdhrat e gjykatës, do të mund të vazhdonte jetën pa prishur qetësinë e djalit. Por kur mori urdhër mbrojtjeje, nuk i ofrua strehim i përshtatshëm.

Policia e këshilloi të shkonte te vëllezërit. Ajo u largua te vëllai në Radavc, ndërsa ish-bashkëshorti solli në shtëpinë e re nënën dhe vëllanë (kunatin), sipas Ilirianës, për t’i bërë dhunë psikologjike dhe për ta detyruar të dorëzohej.

Arlinda kishte thënë se donte vetëm të përqafonte djalin, edhe nëse do t’ia merrnin jetën. U kthye e shoqëruar nga policia. Para se të nisej, i kishte përgatitur ushqim djalit, i kishte puthur duart dhe i kishte thënë se do të kthehej pas pak.

Sipas të afërmve, kur u kthye nuk pati kontakt me djalin. U dëgjuan zëra, një përplasje verbale me kunatin dhe pastaj zërat e dhimbjes.

“Pse ishte kaq e sigurt se do e vrisnin? Sepse i njihte karakterin e tyre. I dinte si ishin rritur dhe çfarë nënkuptonte për ta ‘të jesh burrë i vërtetë’. Dhe dinte sa nuk e kishin dashur që nga fillimi,” theksoi Iliriana.

Ajo e quan dështim të plotë të institucioneve. “Arlinda shpresonte se sistemi do funksiononte si në Amerikë. U përpoq vazhdimisht përmes ligjit dhe institucioneve. Arriti deri te Zoti të kërkojë ndihmë dhe asgjë nuk funksionoi.”

Kryeprokurori i Shtetit, Zenun Gashi, ka ricaktuar tre lëndë penale të lidhura me rastin nga Prokuroria Themelore e Pejës te Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Zyra e tij po analizon veprimet dhe mosveprimet institucionale, vlerësimet e rrezikut dhe masat e mbrojtjes. Do të kërkohet llogaridhënie e plotë në rast se konstatohet shkelje apo neglizhencë.

Avokatja Brunilda Lika, e ftuar në studio, theksoi se “shteti duhet të garantojë jetën, strehimin dhe sigurinë e viktimës së dhunës në familje. Është absurde që ajo të kthehet aty ku ndodhen dhunuesit. Problemi nuk është ligji, por zbatimi i tij dhe mungesa e bashkëpunimit mes hallkave.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme