U plagos në sy në protestë, qeveria akordon 5 mln lekë për mbulimin e shpenzimeve mjekësore të Erion Vishkullit

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të veçantë për mbulimin e shpenzimeve mjekësore të Erion Vishkullit, i cili u plagos në sy para disa ditësh në protestë, ndërsa aktualisht po merr trajtim mjekësor në një nga spitalet e Romës në Itali.
Vendimi, i propozuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, parashikon një fond prej 5 milionë lekësh për trajtimin e tij, ndërsa fondi përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.36, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2026”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi: Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Erion Vishkulli, në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë, ky fond përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pagesa bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit, ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Ndërkaq, më herët, ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu bëri të ditur se Erion Vishkulli kaloi e sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë, e cila e ka shpëtuar organin e syrit të djalit.
“Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare dhe me mirënjohje të thellë, falënderova profesor Stanislao Rizzon, i cili me profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe ndjeshmëri njerëzore kreu me sukses ndërhyrjen, ndërkohë që qeveria miratoi po sot edhe mbështetjen financiare për Erjonin. Përtej dijes dhe aftësisë profesionale, është pikërisht kjo anë njerëzore, bashkimi i forcave te humanizmi që i bën kaq të veçanta këto situata. Erjonit i uroj nga zemra shërim të mbarë dhe forcë në çdo hap të mëtejshëm. Suksesi i ndërhyrjes është një lajm i mirë, ndërsa rrugëtimi drejt rikthimit të dritës së syrit do të vijojë me durim e besim. Mirënjohje të sinqertë profesor Rizzos për atë që bëri dhe përgëzime familjes e miqve të Erjonit”, shkruan Spahiu.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për dëmtimin në sy me plumb gome të Erion Vishkullit gjatë protestave të zhvilluara më 24 tetor në kryeqytet, ndërsa në të njëjtin procedim po hetohen edhe dyshimet për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




