Qeveria zgjat afatin e bonusit të qirasë për poseduesit e ndërtimeve pa leje që nuk legalizohen

Aktualitet | 2 orë më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 409, datë 15.6.2022, i cili rregullon rregullat, mënyrat dhe afatet e trajtimit të poseduesve të ndërtimeve pa leje që nuk i nënshtrohen procesit të legalizimit. Vendimi, i marrë me propozim të Kryeministrit dhe në mbështetje të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, sjell një lehtësim dhe zgjatje të periudhës së mbështetjes financiare për kategoritë e prekura.

Ndryshimi kryesor i këtij akti lidhet drejtpërdrejt me kohëzgjatjen e trajtimit financiar në formën e bonusit të qirasë. Në pikat 2 dhe 10 të kreut II të vendimit bazë, togfjalëshi “3-vjeçar” zëvendësohet zyrtarisht me “5-vjeçar”. Ky ndryshim u siguron familjeve dhe individëve të prekur një afat më të gjatë mbështetjeje financiare nga shteti për strehim.

Efekti prapaveprues për përfituesit ekzistues

Një nga pikat më të rëndësishme të shtuara në këtë vendim është pika 11/1, e cila specifikon fushën e veprimit të kësaj mase mbështetëse.

Akti normativ përcakton qartë se “efektet e zgjatjes së afatit për trajtimin financiar në formën e bonusit të qirasë, sipas këtij kreu, shtrihen edhe mbi subjektet, që janë njohur si përfituese të këtij bonusi përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi”. Kjo garanton që zgjatja dyvjeçare e këtij bonusi të mbulojë si aplikuesit e rinj, ashtu edhe ata që aktualisht e përfitojnë këtë ndihmë financiare.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministritë përkatëse, njësitë e vetëqeverisjes vendore, entet dhe organet publike, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK). Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit të tij në “Fletoren Zyrtare”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme