Trump: SHBA do ndalojë 4 mld dollarë ndihmë për Izraelin pas fundit të këtij viti

Amerikë | 2 orë më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të martën se ka arritur një marrëveshje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, sipas së cilës Uashingtoni do të ndalojë financimin prej 4 miliardë dollarësh në vit për Izraelin.

Duke folur në emisionin “Fox and Friends” të Fox News, Trump tha se Izraeli nuk ka më nevojë për këtë ndihmë dhe se disa demokratë dhe politikanë të krahut të majtë po e përdorin mbështetjen financiare amerikane si argument për të kritikuar republikanët.

“Sa i përket pagesës për Izraelin, Bibi Netanyahu dhe unë kemi bërë një marrëveshje që i japim Izraelit 4 miliardë dollarë në vit, dhe kemi rënë dakord muaj më parë që ta ndalojmë. Kemi rënë dakord tashmë që deri në fund të këtij viti nuk do të paguajmë më Izraelin. Por do ta ndihmojmë nëse ka nevojë”, ka theksuar Trump.

Zyra e Netanyahu nuk dha asnjë koment të menjëhershëm mbi deklaratat e Trumpit.

Nuk është e qartë ende se për cilën financim të saktë bëhet fjalë. Një memorandum mirëkuptimi që siguron 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake vjetore amerikane për Izraelin po afrohet data e skadimit në vitin 2028 dhe bisedimet janë në vazhdim për mënyrën se si do të evoluojë ndihma e Uashingtonit pas asaj date.

“Ata mund të blejnë çfarë të duan. Edhe Evropa mund të blejë. Ne prodhojmë armët më të mira në botë,” shtoi Trump të martën.

Netanyahu kishte thënë në një intervistë në maj për CBS se shpresonte ta largonte Izraelin nga varësia ndaj mbështetjes ushtarake amerikane brenda një dekade.

Në një letër të qershorit drejtuar një kongresmeni amerikan, ai shkruante se kishte ardhur koha që Izraeli “të kalojë nga marrës ndihme në partner”.

Mbështetja publike amerikane për Izraelin ka rënë që nga fillimi i luftës në Gaza në vitin 2023, veçanërisht mes demokratëve.

Një sondazh i Universitetit Quinnipiac në qershor tregoi se 48% e votuesve dhe 66% e demokratëve mendojnë se Shtetet e Bashkuara e mbështesin tepër Izraelin, nga 16% dhe 20% që ishin kur u bë pyetja për herë të parë në vitin 2017.

Mbështetja për Izraelin mes votuesve demokratë ka rënë ndjeshëm, kandidatët kritikë ndaj Izraelit po fitojnë primaret demokratike dhe edhe ligjvënësit e moderuar po sfidojnë gjithnjë e më shumë dekada mbështetjeje amerikane.

“E majta e përdor pagesën prej 4 miliardë dollarësh, që të gjithë e dinë, si shenjë padrejtësie, dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë. Ne u jepnim 4 miliardë dollarë, po ua japim ende, por kjo ndërpritet në fund të vitit. Pse? Sepse ata nuk kanë nevojë”, ka deklaruar më tej Trump.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme