Ambasadorja e BE-së për protestat në Shqipëri: Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike. Negociatat deri në 2027 kërkojnë reforma dhe gjithëpërfshirje
Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në vend, duke theksuar se protestat paqësore janë pjesë e rëndësishme e jetës demokratike, ndërsa dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ambasadorja u ndal te protestat që nisën në fund të muajit maj për çështje mjedisore dhe që më pas u zgjeruan në një lëvizje më të gjerë, si dhe te protestat studentore të javëve të fundit, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Ajo nënvizoi se çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin, duke përsëritur se dhuna nuk mund të jetë pjesë e jetës demokratike.
“Ishin shqetësimet mjedisore ato që nxitën protestat paqësore, të cilat nisën në fund të muajit maj. Protesta më pas u shndërrua në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike dhuna nuk ka vend dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin. Por e përsëris, dhuna nuk ka vend në jetën demokratike të vendit”, deklaroi Sofia Moreira de Sousa.
Ambasadorja theksoi gjithashtu se pakënaqësitë dhe shqetësimet e qytetarëve duhet të marrin përgjigje përmes dialogut të mirëfilltë, ndërsa përgjegjësia për krijimin e hapësirave të nevojshme për këtë proces u takon institucioneve demokratike.
“Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë dhe ajo që u takon institucioneve demokratike është të krijojnë hapësirat e nevojshme për zhvillimin e këtij dialogu”, u shpreh ambasadorja.
Gjatë fjalës së saj, përfaqësuesja e BE-së u ndal edhe te procesi i integrimit evropian, duke komentuar udhërrëfyesin orientues të anëtarësimit, të paraqitur për Shqipërinë nga Komisioni Evropian.
Ajo sqaroi se dokumenti nuk vendos kushte të reja dhe as nuk ofron rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit, por pasqyron objektivin e Shqipërisë për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.
“Dje Shqipëria mori udhërrëfyesin orientues të anëtarësimit dhe ai nuk vendos kushte të reja, as ofron rrugë të shkurtra, por pasqyron vetë synimin e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027. Ky synim varet nga reformat dhe rezultatet konkrete”, theksoi Moreira de Sousa.
Ajo nënvizoi se procesi i integrimit nuk duhet të përshpejtohet në kurriz të cilësisë së reformave dhe gjithëpërfshirjes, duke kërkuar konsultime reale dhe debat të hapur parlamentar.
“Shpejtësia nuk mund të ofrohet në dëm të cilësisë dhe gjithëpërfshirjes. Pra, reformat kërkojnë konsultim të mirëfilltë dhe debat të hapur në Kuvend, që është përgjegjësi e të gjitha forcave politike në Shqipëri”, përfundoi ambasadorja e BE-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




