Reforma e inspektimeve, Ibrahimaj: Në vitin 2027 ngremë sistemin e ri, synojmë të shmangim mbivendosjen e kontrolleve

Ekonomi | 24 minuta më parë

Qeveria synon të ngrejë gjatë vitit 2027 sistemin e ri të inspektimeve, me qëllim shmangien e mbivendosjes së kontrolleve, reduktimin e barrës administrative për bizneset dhe përmirësimin e zbatimit të ligjit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Denila Ibrahimaj, deklaroi se reforma synon kalimin nga një sistem i përqendruar te kontrolli dhe ndëshkimi, në një model që mbështetet te këshillimi dhe përmbushja vullnetare e detyrimeve.

Gjatë konferencës së Inspektoratit të Përgjithshëm, Ibrahimaj theksoi se procesi i integrimit evropian kërkon standarde të larta, por kjo nuk duhet të shoqërohet me një barrë shtesë për bizneset.

Sipas ministres, sistemi i ri do të synojë eliminimin e mbivendosjeve mes inspektorateve dhe shmangien e kontrolleve të zgjatura, duke garantuar njëkohësisht zbatimin e legjislacionit.

“Procesi i integrimit europian kërkon që standardet ët jenë të larta, ndërsa si qeveri synojmë të garantojmë që pesha që shteti ka ndaj subjekteve të jetë sa më e ulët. Ndaj qëllimi i reformës ishte që të kalonim nga një sistem i përqendruar te kontrolli dhe ndëshkimi, në një sistem të përqendruar te eliminimi i mbingarkesës së kontrolleve, këshillimi dhe përmbushja vullnetare. Këto janë elementët kryesorë që kanë udhëhequr reformën dhe strukturimin e ri të inspektorateve. Duam të arrijmë standardet e kërkuara nga BE, por pa iu dhënë biznesit një barrë ekstra. Ndaj sistemi i inspektimeve është menduar i tillë që të eliminohen mbivendosjet. Gjatë 2027 synojmë të ngremë sistemin e ri të inspektimeve, i cili do të garantojë akoma më shumë dhe më mirë zbatimi e ligjit. Do garantojmë të mos kemi mbivendosje, apo kontrolle të zgjatura”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj bëri të ditur gjithashtu se do të hapet një proces i ri dialogu me biznesin, për të identifikuar problematikat që hasin subjektet dhe për të diskutuar përshtatjen e procedurave të inspektimit me standardet që burojnë nga legjislacioni evropian.

“Reforma e inspektimeve duhet të jetë e ndikuar nga një proces dialogu me biznesin. Ne do të hapim një tjetër proces dialogu me biznesin, që të diskutojmë mbi ato standarde që po vijën nga legjislacioni europian. Synojmë të reduktojmë barrën e reduktimit, të identifikojmë pikat problematike që biznesi ka, të analizojmë procedurat e inspektimit dhe të kuptojmë sesi reforma mund të ndryshojë që t’i shërbejë objektivit që kemi që bashkë me biznesin të punojmë për të patur konkurrencë më të drejtë, për të mos patur kosto të fshehura për biznesin dhe për të garantuar  standarde”, deklaroi Ibrahimaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme