“Blackout” masiv, luftëra dhe sulme kibernetike/ Europa dhe SHBA përgatiten për emergjencat, nga Franca në Britani dhe Holandë, ja udhëzuesit për qytetarët

Ndërprerje masive të energjisë elektrike, sulme kibernetike dhe fenomene ekstreme natyrore. Por edhe incidente bërthamore, kriza shëndetësore dhe luftëra që mund të përhapen në të gjithë globin. Përballë një situate ndërkombëtare gjithnjë e më të paqëndrueshme dhe infrastrukturave gjithnjë e më të cenueshme, disa vende kanë nisur t’u kërkojnë qytetarëve të kontribuojnë në mënyrë aktive për sigurinë e tyre.
Në radhë të parë, janë vetë qytetarët ata që duhet të garantojnë sigurinë e tyre dhe të të tjerëve, brenda mundësive, duke ndjekur një sërë udhëzimesh të përgatitura në broshura të posaçme. Në krye të listës është i ashtuquajturi “kit i mbijetesës”, që përfshin ujë, ushqime që ruhen për një kohë të gjatë, ilaçe, radio me bateri dhe shumë pajisje të tjera.
Qëllimi është të garantohet furnizimi me gjërat e domosdoshme për disa ditë, deri në një javë, edhe në rast të skenarëve ekstremë.
Britania e Madhe, plani “Be Ready”
Në Britaninë e Madhe prej javësh po flitet për skenarë të mundshëm “apokaliptikë”. Një shembull është plani i madh emergjent “Black Sky” (Qielli i Zi), i hartuar nga BBC-ja, për të garantuar vazhdimësinë e funksionimit të saj në rast se interneti ndërpritet.
Që prej tetorit, qeveria britanike ka nisur fushatën “Be Ready” (Jini të përgatitur). Në rast të një skenari hipotetik, ku për tri ditë mungojnë uji, energjia elektrike dhe lidhjet telefonike, popullsisë i kërkohet të ketë paraprakisht rezerva të mjaftueshme.
Konkretisht, rekomandohet:
– Ujë: 9 litra për person.
– Ushqime që nuk prishen: konserva, fruta të thata dhe ushqime që mund të konsumohen pa u gatuar.
– Batanije dhe veshje të ngrohta.
– Radio.
– Elektrik dore me bateri.
– Bateri të jashtme për telefonat (power bank).
– Ilaçe dhe produkte bazë higjienike.
– Para në dorë, në rast të ndërprerjes së pagesave elektronike.
Për të moshuarit dhe personat më të cenueshëm ekziston edhe regjistri “Priority Services Register”, i cili u mundëson kompanive të energjisë dhe ujit të identifikojnë personat që kanë nevojë për ndihmë më të madhe.
Gjithashtu, rekomandohet që çdo familje të përgatisë një plan të posaçëm, ku të përcaktohen pikat e takimit dhe detyrat konkrete të secilit anëtar. Qytetarëve u këshillohet të mësojnë edhe njohuritë bazë të ndihmës së parë, në mënyrë që të mund të ndihmojnë të tjerët pa qenë të detyruar të presin mbërritjen e ambulancës, e cila në situata emergjencash të përmasave të mëdha mund të mos jetë në gjendje t’u përgjigjet të gjitha thirrjeve.
Në Francë, “të gjithë janë përgjegjës”
Edhe për Francën, elementi i parë thelbësor për përballimin e situatave të krizës kombëtare është që të gjithë të jenë të përgatitur. Ose, siç titullohet broshura e shpërndarë që në nëntor 2025, “Të gjithë përgjegjës”.
Qytetarët francezë duhet të kenë gati:
– Ujë: rekomandohen 6 litra për person për 72 orë.
– Ushqime që nuk prishen.
– Radio me bateri.
– Elektrik dore me bateri, qirinj dhe çakmakë.
– Bateri të jashtme.
– Ilaçe dhe kopje të recetave mjekësore.
– Para në dorë dhe çelësa rezervë të banesës.
Këto këshilla të përgjithshme shoqërohen në dokument me udhëzime specifike për lloje të ndryshme emergjencash, nga përmbytjet dhe aksidentet industriale deri te epidemitë dhe sulmet kibernetike.
Në përgjithësi, qytetarëve u kërkohet të mos përdorin telefonin pa nevojë, për të shmangur mbingarkimin e linjave të komunikimit. Gjithashtu, këshillohen të mos shkojnë të marrin fëmijët në shkollë, pasi institucionet arsimore kanë tashmë plane të mirëpërcaktuara evakuimi, si dhe të ndjekin vetëm udhëzimet zyrtare të prefektëve, të cilët koordinojnë ndërhyrjen dhe ndihmën civile.
Suedia dhe Holanda, vëmendje te paratë dhe lufta psikologjike
Edhe Suedia dhe Holanda kanë publikuar gjatë muajve të fundit dokumente të posaçme për të udhëzuar popullsinë, përkatësisht “Në rast krize ose lufte” dhe “Mendo për të ardhmen”.
Udhëzimet bazë janë pak a shumë të njëjta me ato të Britanisë së Madhe dhe Francës: ujë, ushqime që ruhen për një kohë të gjatë, veshje të ngrohta, bateri të jashtme dhe shumë pajisje të tjera.
Në këto raste, megjithatë, qytetarëve u kërkohet të jenë në gjendje të përballojnë vetë nevojat për një javë, me vëmendje të veçantë te sistemet e pagesave.
Stokholmi këshillon që çdo i rritur të mbajë 100 korona suedeze në para të gatshme, rreth 90 euro, si dhe të identifikojë paraprakisht strehimoret më të afërta me banesën. Amsterdami rekomandon ndërkohë 70 euro për çdo të rritur dhe 30 euro për çdo fëmijë.
Veçanërisht interesant është fakti se të dy vendet i paralajmërojnë shprehimisht qytetarët për “sulmet psikologjike dhe dezinformimin”. Këshilla është që t’u besojnë vetëm burimeve zyrtare, të verifikojnë çdo lajm në disa burime dhe të mos shpërndajnë kurrë përmbajtje të dyshimta, duke treguar kujdes ndaj informacioneve që qarkullojnë në rrjetet sociale.
Suedia i kushton një pjesë të dokumentit edhe sigurisë kibernetike, duke kërkuar përdorimin e fjalëkalimeve të forta dhe krijimin e kopjeve rezervë të rregullta të të gjitha të dhënave të rëndësishme.
Vendi nordik kujton gjithashtu se: “Të gjithë personat nga mosha 16 deri në 70 vjeç mund të thirren për të kontribuar në mbrojtjen kombëtare”. Kjo nuk vlen vetëm për shtetasit suedezë, por edhe për këdo që është rezident në territorin e vendit.
Plani i SHBA-së për të mbajtur bazat funksionale në rast të një blackout-i total
Edhe jashtë Europës, në Shtetet e Bashkuara janë hartuar disa plane emergjence. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka punuar veçanërisht mbi programin “Fortress America”, i cili synon të mundësojë vazhdimësinë e funksionimit të bazave ushtarake edhe në rast se një sulm kibernetik ose sabotim nxjerr jashtë funksionit rrjetin elektrik.
Për të arritur këtë objektiv, plani parashikon:
– Pavarësi energjetike.
– Sigurinë e zinxhirëve të furnizimit industrial dhe të furnizimeve.
– Rezerva strategjike të karburantit, municioneve dhe ilaçeve.
– Mbrojtjen fizike dhe kibernetike të instalimeve ushtarake.
– Sigurinë e komunikimeve satelitore dhe sistemeve të tjera të komunikimit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




