Deputetja Sara Mile paraqitet në SPAK: Jam thirrur si person në dijeni
Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mile, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku është marrë në pyetje për disa minuta.
Pas daljes nga institucioni, Mile ka dhënë një prononcim për mediat, ku konfirmoi se kishte dhënë dëshminë e saj, duke theksuar se është thirrur në cilësinë e personit në dijeni për çështjen.
“Dua të theksoj se në organet e drejtësisë nuk vihet vetëm për atë që dini, por vihet edhe për përgjegjësi publike e politike. Shumë baltë është hedhur mbi mua nga politika e vjetër. Ka një sekret hetimor, jam person në dijeni, kam dhënë dëshminë time dhe kam përshtypjen se kalvari i gjatë i hedhjes së baltës nga politika e vjetër do të përfundojë. Do të jem këtu sa herë të jetë e nevojshme. Unë besoj te ligji”, deklaroi Mile.
Deputetja nuk dha detaje të tjera lidhur me çështjen, duke iu referuar sekretit hetimor, ndërsa u shpreh e gatshme të paraqitet në SPAK sa herë që do të jetë e nevojshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




