Arratiset ish-anëtari i Brigadave të Kuqe që financoi apartamentin ku u mbajt i burgosur dhe më pas u vra ish-kryeministri italian Aldo Moro

Ish-anëtari i organizatës terroriste të majtë “Brigadat e Kuqe” (Brigate Rosse), 74-vjeçari Leonardo Bertulazzi, është arratisur nga arresti shtëpiak ku mbahej në Buenos Aires të Argjentinës. Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës Kriminale ka lëshuar menjëherë një urdhër arresti urgjent për kapjen e tij.
Bertulazzi po qëndronte nën arrest shtëpiak në një banesë në rrugën Defensa 600, në qendër të kryeqytetit argjentinas, ndërsa priste ekstradimin përfundimtar drejt Italisë pas revokimit të statusit të tij të refugjatit nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë. Në vendlindje, 74-vjeçari përballet me një dënim prej 27 vjetësh burg për rrëmbim personi, lidhje subversive dhe anëtarësim në një grup të armatosur.
Lajmi për arratisjen ka befasuar edhe mbrojtjen e tij ligjore, e cila deklaroi se nuk kishte kontakt me të arratisurin prej muajsh.
“Lexova për atë që ndodhi, por nuk kam informacion të drejtpërdrejtë ose të saktë. Nuk kisha dëgjuar prej tij kohët e fundit,” u shpreh avokati i tij, Gabriele Fuga, duke shtuar se “isha në kontakt me vajzën e tij, por kjo ishte para verës.”
I arratisur nga drejtësia që prej vitit 1980, Bertulazzi u arrestua fillimisht në Argjentinë në vitin 2002 por u lirua pak muaj më vonë. Ai u riarrestua në gusht të vitit 2024 pas anulimit të azilit, u la në arrest shtëpiak dhe më 1 korrik 2025 Gjykata Supreme e Argjentinës vendosi përfundimisht në favor të ekstradimit të tij në Itali.
Historia e anëtarit të “Brigadave të Kuqe”
Djali i një marshalli ushtarak, Bertulazzi u rrit në rajonin e Ligurias ku u përfshi në lëvizjet radikale politike gjatë viteve ’70. Pasi u anëtarësua në lëvizjen Lotta Continua, ai iu bashkua kolonës gjenoveze të Brigadave të Kuqe me emrin e koduar “Stefano”.
Bertulazzi ishte një nga figurat qendrore në njërën prej ngjarjeve më të bujshme financuese të organizatës ekstremiste.
“Bertulazzi, së bashku me Mario Moretti dhe Riccardo Dura të Xhenovas, ishte midis atyre që u përfshinë në rrëmbimin e inxhinierit detar Piero Costa më 12 janar 1977, në Xhenova. Costa u lirua pas 81 ditësh robërie,” kujtohet në dosjen e tij historike.
Paratë e përfituara nga kjo pengmarrje patën pasojat më të rënda në historinë moderne italiane: pesëdhjetë milionë lireta nga shpërblimi u përdorën nga organizata për të blerë apartamentin në Via Montalcini 8 në Romë, ku më pas u mbajt i burgosur dhe u vra ish-kryeministri italian Aldo Moro.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





