Shpërthen makina e kolonelit rus në Shën Petersburg, vritet ushtaraku dhe plagoset i afërmi i tij

Një kolonel i Forcave të Armatosura ruse është vrarë mëngjesin e 12 nëntorit, pasi makina me të cilën po udhëtonte shpërtheu në periferi të Shën Petersburgut. Nga shpërthimi mbeti i plagosur edhe një familjar i tij, i cili ndodhej në automjet. (Foto: Ansa)
Ngjarja ndodhi në zonën e Shusharit, në jug të qytetit, përgjatë autostradës Kolpinskoje. Sipas gazetës lokale “Fontanka”, shpërthimi ndodhi ndërsa koloneli ishte në timonin e automjetit. Familjari që udhëtonte me të i mbijetoi shpërthimit, por pësoi disa plagë.
Mediat ruse raportojnë se ngjarja ka ngjashmëri me një tjetër shpërthim të ndodhur në fund të gushtit, në zonën e Slavyankës, ku humbi jetën një nënkolonel i Forcave Ajrore dhe Mbrojtjes Kundërajrore të Rusisë. Në atë rast, bashkëshortja e ushtarakut mbeti e plagosur.
Në të dyja rastet, sipas “Fontanka”, dyshohet se lëndët plasëse janë aktivizuar në distancë. Deri tani nuk janë bërë të ditura identiteti i plotë i kolonelit të vrarë dhe autorët e mundshëm të atentatit.
Ndërkohë, zhvillimet në frontin diplomatik vijojnë paralelisht me sulmet e ndërsjella mes Rusisë dhe Ukrainës. Pas dy ditësh negociatash trepalëshe në Abu Dhabi, ndërmjetësit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner janë nisur drejt Moskës, ku do të takohen me presidentin rus Vladimir Putin.
Takimet në Emiratet e Bashkuara Arabe përfunduan me një marrëveshje në parim për një shkëmbim të konsiderueshëm të të burgosurve të luftës, por pa përparim konkret drejt një armëpushimi. Palët mbeten larg një marrëveshjeje për çështjet kryesore, veçanërisht për territoret e pushtuara nga Rusia.
I dërguari amerikan Jared Kushner e cilësoi shkëmbimin e ardhshëm si një nga operacionet më të mëdha humanitare të lirimit të të burgosurve gjatë luftës. Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e vlerësoi pozitivisht klimën e bisedimeve, duke lënë të hapur mundësinë e përparimit diplomatik deri në fund të vitit.
Pas takimit me Putinin, Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do të zhvillojnë bisedime me Zelenskyn në kuadër të kontakteve me liderët evropianë. Një nga çështjet që pritet të ngrihet është edhe përfshirja e vendeve evropiane në procesin e negociatave.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike nuk kanë ndalur sulmet ushtarake. Gjatë orëve të para të së enjtes, Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sulme me dronë ndaj kryeqyteteve të njëra-tjetrës. Në Kiev u dëgjuan shpërthime, ndërsa autoritetet ruse njoftuan se kishin rrëzuar pesë dronë që po drejtoheshin drejt Moskës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








