Të shtëna me armë pranë Shtëpisë së Bardhë, plagosen pesë persona në Uashington

Pesë persona janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në lagjen Logan Circle në Uashington, rreth 1.6 kilometra larg Shtëpisë së Bardhë. Ngjarja ka shkaktuar një mobilizim të madh policor, ndërsa autori vijon të jetë në kërkim.
Zëdhënësja e policisë, Nicole Deaner, bëri të ditur se efektivët po ndërhynin në disa vendndodhje, por ende nuk ishte e qartë nëse të shtënat kishin ndodhur në të njëjtin moment apo në pika të ndryshme të zonës, raporton abc7.ny.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin bllokun 1500 të rrugës 15th Street, ku ndodhen një qendër fitnesi, një kishë dhe disa banesa. Një pjesë e konsiderueshme e zonës është rrethuar, ndërsa rrugët përreth janë bllokuar. Edhe shkollat pranë vendngjarjes janë futur në izolim për arsye sigurie.
Në operacion janë përfshirë edhe agjentë të Byrosë Federale për Alkoolin, Duhanin, Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët (ATF), të cilët kanë mbërritur për të ndihmuar autoritetet lokale.
Ngjarja rikthen vëmendjen te siguria në kryeqytetin amerikan. Në gusht të vitit 2025, në të njëjtën lagje, një ish-punonjës i Departamentit për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE), i krijuar gjatë administratës Trump, u sulmua nga një grup adoleshentësh që tentuan t’i grabisnin automjetin.
Disa ditë pas këtij incidenti, presidenti Donald Trump vendosi të ndërhynte drejtpërdrejt në menaxhimin e sigurisë së kryeqytetit, duke anashkaluar autoritetet lokale dhe duke dislokuar qindra pjesëtarë të Gardës Kombëtare për të luftuar kriminalitetin. Ky dislokim vijon edhe aktualisht.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




