Nepravishta, tradita e bujqësisë dhe blegtorisë, Asim Banushaj mes përkushtimit dhe sfidave
Në fshatrat e Libohovës, bujqësia dhe blegtoria vijojnë të mbeten pjesë e rëndësishme e jetës dhe traditës së banorëve.
Mes tokës që punohet çdo ditë dhe tufave të bagëtive që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm, fermerët vijojnë të mbajnë gjallë një nga sektorët më të hershëm të ekonomisë së zonës.
Një prej tyre është edhe Asim Banushaj, i cili prej vitesh ia ka kushtuar jetën punës në bujqësi dhe mbarështimit të bagëtive të imëta dhe gjedhit.
Për të, puna me tokën dhe blegtorinë nuk është thjesht një profesion, por një mënyrë jetese, që kërkon përkushtim dhe sakrificë çdo ditë.
“Kam 36 vjet që merrem me bujqësi dhe blegtori. Që nga viti 1993, kur u shpërbënë ndërmarrjet bujqësore, jam marrë vetëm me këtë punë. Gjatë gjithë kësaj periudhe jam munduar të mbijetoj duke gjetur vetë treg për produktet e mia. Për fermerin do të ishte shumë më e lehtë sikur për prodhimet bujqësore dhe blegtorale të kishte magazina të përgjithshme ose pika grumbullimi me shumicë.”
Por, pavarësisht dëshirës për të vijuar këtë aktivitet dhe për të ruajtur traditën, sfidat nuk mungojnë. Mungesa e fuqisë punëtore dhe e pikave të grumbullimit mbeten ndër vështirësitë kryesore me të cilat përballen jo vetëm Banushaj, por edhe shumë fermerë të tjerë të zonës.
“Fuqia punëtore është shumë e kufizuar, mungon jashtë mase. Edhe kostoja e ditës së punës është shumë e lartë dhe nuk gjen punëtorë. Nuk gjen fare punëtorë. Ja, shikojeni, unë e kam rimbledhur vetë këtë prodhim, e kam ambalazhuar vetë, e kam sistemuar vetë, e kam mbajtur në krahët e mi. Nuk jam më i ri, por detyrohem t’i bëj të gjitha vetë.”
Për fermerë si Asim Banushaj, vijimi i punës është një përpjekje e përditshme për të mos braktisur tokën dhe për të mbajtur gjallë traditën e bujqësisë e blegtorisë në zonën e Libohovës.
Një traditë që, për të ardhmen, ka nevojë jo vetëm për përkushtimin e fermerëve, por edhe për më shumë mbështetje dhe mundësi zhvillimi
Gazetare Leonida Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




