Mbrojtja Civile paralajmëron reshje intensive dhe rrezik për përmbytje, kërkohen masa të shtuara në disa qarqe të vendit

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka bërë apel për rritjen e vigjilencës dhe marrjen e masave parandaluese, pasi sipas parashikimeve meteorologjike, në disa qarqe të vendit priten reshje intensive shiu, të shoqëruara me shtrëngata dhe rrezik për problematika lokale.
Sipas njoftimit të AKMC-së, bazuar në të dhënat e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së kësaj të enjteje, në qarqet Shkodër dhe Kukës parashikohen reshje me intensitet mesatar deri lokalisht shumë intensiv, të shoqëruara me shtrëngata.
Ndërkohë, për ditën e premte, 13 nëntor, reshje intensive shumë intensive priten në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Autoritetet paralajmërojnë se për shkak të sasive të larta të reshjeve mund të krijohen grumbullime të përkohshme uji në zonat urbane, ndërsa në zonat malore kërkohet kujdes i shtuar për shkak të rrezikut të vërshimeve të përrenjve dhe rrëshqitjeve të dherave.
Përballë kësaj situate, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga strukturat e pushtetit vendor dhe institucionet përgjegjëse që të monitorojnë vazhdimisht zonat me risk, të marrin masa parandaluese dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet për ndërhyrje në rast emergjencash.
AKMC u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj përmbytjeve apo rrëshqitjeve të mundshme, si dhe të ndjekin njoftimet dhe udhëzimet e autoriteteve zyrtare.
Sipas agjencisë, situata po monitorohet në vijimësi në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, ndërsa prioritet mbetet garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe minimizimi i çdo rreziku që mund të vijë si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



