Shkodra nderon Ibrahim Tukiçin, koncerti “Tukiçi i Madh” në 100-vjetorin e lindjes së tenorit të shquar shqiptar

Kulturë | 22 minuta më parë

Shkodra nderoi tenorin Ibrahim Tukiçi në 100-vjetorin e lindjes së tij. Koncerti “Tukiçi i Madh”, i zhvilluar në Teatrin “Migjeni”, bëri bashkë artistë të njohur në një mbrëmje kushtuar jetës dhe veprës së tij.

David Tukiçi u shpreh se babai i tij është nderi i kombit shqiptar, edhe pse ende nuk e mban zyrtarisht këtë titull. Ndërsa Genc Tukiçi e cilësoi këtë koncert si një rikthim shpirtëror të babait të tij në Shkodër, qytetin që ai e konsideronte shtëpinë e vet.

“I mungon Nderi i Kombit. Sepse, në të vërtetë, nëse ka dikush që e meriton të jetë Nderi i Kombit, nuk e them këtë sepse është babai im, por sepse ai ka shëtitur gjithë botën dhe e ka nderuar këtë komb”, u shpreh kompozitori, David Tukiçi.

“U kthye në shtëpinë e vet. Dhe ku ka më bukur se kur, me shpirtin e tij, u kthye sonte mes nesh? Ky ishte edhe qëllimi. Për familjen, ai është babai ynë, por është edhe djali i Shkodrës dhe Shkodra nuk e ka harruar”, tha pianisti dhe kompozitori, Genc Tukici.

Emocione të veçanta përjetoi edhe baritoni i njohur Gëzim Myshketa, i cili u rikthye në skenën e Teatrit “Migjeni” pas 32 vitesh.

“Është një nder i jashtëzakonshëm që, pas 32 vitesh, unë kthehem pikërisht në këtë skenë, ku kam qenë i vogël, si këta fëmijët e mrekullueshëm të korit. Jam tepër i lumtur që i bëmë një përkujtim, sado modest, një mjeshtri të madh si Ibrahim Tukiçi”, tha baritoni, Gëzim Myshketa.

Në koncert mori pjesë edhe kori i fëmijëve i Qendrës Kulturore “Kujtim Alija”. Interpretimet u shoqëruan nga Orkestra Simfonike e Shkodrës, nën drejtimin e dirigjentes Elda Laro.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme