Diabeti, rritja e rasteve në Shqipëri – 50% e të prekurve nuk e dinë që janë të sëmurë

Shëndet | 13 minuta më parë

Diabeti po kthehet në një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik. Edhe në Shqipëri, numri i personave të diagnostikuar vijon të rritet. Mbi 100 mijë pacientë marrin aktualisht trajtim, ndërsa çdo vit identifikohen rreth 10 mijë raste të reja. Por shqetësues mbetet fakti se gjysma e personave që vuajnë nga diabeti nuk janë në dijeni të sëmundjes.

Florion Toti, shef i Shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT, shpjegon se rritja e rasteve lidhet me plakjen e popullsisë dhe stilin e jetesës.

“Një nga arsyet është se popullata shqiptare, për fat të keq, po plaket. Mosha mesatare po shkon në 40 vjeç, që është edhe mosha kur fillon diabeti tip 2. Sedentariteti, stresi dhe mënyra jo e shëndetshme e jetesës janë faktorë që ndikojnë.”

Më tej, Toti theksoi rëndësinë e zbulimit të hershëm të sëmundjes dhe komplikacioneve të saj.

“Të fillojë sa më herët programi i depistimit për komplikacionet kronike të diabetit, në mënyrë që ato të zbulohen sa më herët, atëherë kur edhe kostoja e trajtimit është më e ulët dhe të fitohen sa më shumë vite jetë”, tha ai.

Rudina Dëgjoni, drejtoreshë e QSUT, u ndal te lehtësimi i shërbimeve për pacientët falë digjitalizimit.

“Të gjithë pacientët që vijnë në QSUT nuk e kanë më të nevojshme të rikthehen në rajonet e tyre, por brenda ditës ata mbyllin të gjithë konsultën dhe marrin trajtimin. Kjo falë edhe punës dhe digjitalizimit të recetës elektronike”, tha Dëgjoni.

Shqetësuese paraqitet situata edhe te fëmijët. Mjekët endokrinologë evidentojnë një rritje të rasteve me diabet të tipit 1 në moshat pediatrike. Aktualisht, rreth 400 fëmijë janë nën trajtim për këtë sëmundje.

Gjatë vitit 2027, fëmijët do të mund t’i monitorojnë vlerat e sheqerit në gjak përmes sensorëve të diabetit, të cilët do të rimbursohen plotësisht nga shteti.

Anila Rexha, zëvendësministre e Shëndetësisë, tha se ky është një lehtësim i rëndësishëm për familjet.

“Prindërit që kanë një fëmijë me diabet tip 1 besoj se e kanë edhe një komponent sigurie pasjen e sensorit të diabetit”, u shpreh ajo.

“Veproni sa më herët!” është mesazhi i fushatës së këtij viti për Ditën Botërore të Diabetit. Krahas kontrolleve periodike, mjekët rekomandojnë një stil jetese të shëndetshëm, ushqyerje të ekuilibruar dhe aktivitet të rregullt fizik.

Gazetare: Sonila Mlloja

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme