Zelensky: SHBA ka propozuar që Ukraina të dorëzojë Donbasin për anëtarësim në NATO

Botë | 24 minuta më parë

Shtetet e Bashkuara kanë propozuar që Ukraina të tërheqë forcat e saj nga pjesët e Donbasit që ende kontrollon, në këmbim të anëtarësimit në NATO. Kështu ka deklaruar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke zbuluar një nga propozimet e diskutuara në negociatat e fundit për përfundimin e luftës me Rusinë.

Zelensky tha se ideja është ngritur nga negociatorët amerikanë dhe se kjo ishte hera e parë që një formulë e tillë ishte paraqitur në bisedime.

“Amerikanët ngritën një pyetje: ‘Po sikur Ukraina të bashkohet me NATO-n a do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?’ Kjo ishte hera e parë që kjo u ngrit”, deklaroi presidenti ukrainas.

Zelensky bëri të ditur se në rast se do të merrte një propozim që përfshin garanci sigurie, pa kufizime për ushtrinë ukrainase dhe fonde për rindërtimin e vendit, do ta paraqiste atë për votim në referendum.

Sipas tij, propozimi amerikan tregon se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është rikthyer në tryezën e diskutimeve, ndonëse kjo mbetet një çështje e vështirë për shkak të kundërshtimit të Moskës.

Deklaratat vijnë pas takimeve të të dërguarve amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, si dhe bisedimeve me Zelenskyn në Dublin.

Rusia vazhdon të kërkojë lëshime territoriale, neutralitetin e Ukrainës dhe kufizime mbi madhësinë e ushtrisë së saj. Kievi, nga ana tjetër, ka kundërshtuar vazhdimisht heqjen dorë nga territoret sovrane, duke argumentuar se kjo do ta linte vendin të ekspozuar ndaj një agresioni të ardhshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme