Gazetari irlandez i sanksionuar nga BE shkruan për protestat/ Rama: Klloun i propagandës ruse, del kundër se po i afrohemi BE-së   

Aktualitet | 14 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar mbrëmjen e sotme në platformën X ndaj postimeve të gazetarit irlandez Chay Bowes, i cili u përfshi sot në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian.

“Ja dhe një klloun i propagandës ruse që sot u sanksionua nga Bashkimi Europian pikërisht si klloun i paguar nga Rusia”, shkruan kryeministri Rama, ndërsa shpjegon se pse Chay Bowes është kapur me rastin e Shqipërisë, referuar protestave të ditëve të fundit.

“Po me Shqipërinë pse? Se Shqipëria e teproi me ngjitjen e saj lart dhe afrimin e shpejtë te objektivi historik: Anëtarësimi në Bashkimin Europian”, shkruan më tej kryeministri Edi Rama në postimin e tij, shoqëruar me dy foto, që duket se janë pamje nga postimet e mëparshme të Bowes-it lidhur me protestat në Shqipëri.

Chay Bowes, korrespondent i kanalit rus RT International dhe ish-bashkëthemelues i medias irlandeze The Ditch, u përfshi sot në paketën e re të sanksioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian e ka klasifikuar atë ndër propagandistët që kanë marrë pjesë në manipulimin e informacionit dhe përhapjen e narrativave që legjitimojnë dhe mbështesin agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve në BE dhe ndalimin e ofrimit të fondeve nga qytetarë apo kompani të Bashkimit Evropian.⁠


/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme